Fred ka bërë kritika të ashpra ndaj jetës nën drejtimin e ish-trajnerit të Manchester Unitedit, Erik ten Hag.
Mesfushori brazilian kaloi pesë vjet në “Old Trafford” pasi iu bashkua klubit nga Shakhtar Donetsk për 61.2 milionë funte në vitin 2018 dhe zhvilloi 213 paraqitje në të gjitha garat.
Fred fitoi vetëm një trofe me “Djajtë e Kuq” – Carabao Cup në vitin 2023 – para se të largohej nga Unitedi për 12.9 milionë funte te Fenerbahçe në gusht të atij viti.
Ishte gjatë sezonit 2022/23, nën drejtimin e Ten Hagut, kur mesfushori luftarak dhe energjik zhvilloi numrin më të madh të paraqitjeve në një sezon të vetëm në Premierligë.
Ai luajti në të gjitha ndeshjet e skuadrës së tij në ligë, përveç tri prej tyre, ndërsa zhvilloi 56 paraqitje në të gjitha garat, duke dëshmuar rëndësinë e tij nën drejtimin e holandezit.
Por, teksa ka reflektuar për periudhën e tij nën drejtimin e Ten Hagut, mesfushori ka dhënë një vlerësim jashtëzakonisht kritik për 56-vjeçarin dhe ka shpjeguar pse gjërat shkuan keq për të te Manchester Unitedi.
Ish-reprezentuesi i Brazilit e kritikoi ashpër ish-trajnerin e Unitedit për mënyrën se si menaxhonte skuadrën, teksa foli për periudhën e shkurtër që kaluan së bashku në “Charla Podcast”.
“Ten Hagu ishte shumë i mirë taktikisht, por me grupin ishte një copë m*t”, zbuloi Fred.
“Debatonte me të gjithë. Debatonte me mua, me Cristianon [Ronaldo], me Casemiron, me Rashfordin… Nuk më aktivizonte për të luajtur, ndonjëherë situata bëhej stresuese. Te Ten Hagu luanin vetëm lojtarët e tij holandezë. Një trajner që krijonte klika. Por, taktikisht, një prej më të mirëve me të cilët kam punuar ndonjëherë. Ai donte që skuadra të vraponte, por Cristiano [tashmë] ishte më i vjetër. Ai e la Cristianon jashtë formacionit titullar dhe më pas pati një përplasje mes tyre”, tha ai.
Ronaldo u largua nga klubi në fund të sezonit 2021/22, pasi nuk ishte më pjesë e formacionit titullar. Fred, në anën tjetër, u largua një vit më vonë dhe aktualisht luan për klubin brazilian Atletico Mineiro, pasi u largua nga Fenerbahçe në gusht.
Kritikat e ashpra të Fredit ndaj Ten Hagut tani janë krejtësisht të kundërta me atë që ai mendonte më parë për ish-trajnerin e Unitedit.
Para ndeshjes së parë gjysmëfinale të Ligës së Evropës kundër Sevillas në prill të vitit 2023, braziliani e kishte lavdëruar ndikimin pozitiv të Ten Hagut në dhomën e zhveshjes.
“Ai ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në dhomën e zhveshjes”, kishte thënë ai.
“Para ardhjes së tij, ne e dinim cilësinë e punës së tij, periudhën e tij te Ajax dhe stilin e tyre të lojës. Natyrisht, duhet kohë për t’u përshtatur me një trajner të ri, por ai na ka ndihmuar të gjithëve në fushë dhe na ka prezantuar ide se si të punojmë. Është një trajner i madh dhe jemi shumë të lumtur që e kemi këtu. Çdo trajner ka mënyrën dhe kërkesat e tij, dhe na takon neve të përshtatemi me stilin e tij. Nuk është e lehtë; nuk ndodh brenda natës. Por gradualisht filluam ta kuptonim atë që dëshironte të ndiqnim. Pak nga pak, u përshtatëm dhe i zbatuam në fushë gjërat që ai na kishte kërkuar, dhe kjo çoi në përmirësime të skuadrës”, tha ai tutje.
Mospëlqimi i Fredit ndaj holandezit, ndoshta, nisi pas asaj gjysmëfinale, pasi Unitedi u eliminua me rezultat të përgjithshëm 5-2 dhe ai luajti vetëm 22 minuta në të dyja ndeshjet.
Në fakt, ai ishte një zëvendësues i papërdorur në barazimin 2-2 në “Old Trafford”, para se Unitedi të pësonte humbje të thellë 3-0 në ndeshjen e kthimit.













