Komuna e Podujevës ia ka dhënë kompanisë “DnA Core L.L.C.” një kontratë prej 312 mijë eurosh për furnizim me pelet, përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Kompania është në pronësi të Ardion Sylejmanit, i cili merrte pjesë rregullisht në aktivitetet e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa vlera e kontratës tejkalon për 60 mijë euro vlerën e parashikuar nga Komuna.
Më 6 tetor 2026, Komuna e Podujevës ka njoftuar se ka dhënë një tender përmes procedurës së negociuar.
Kontrata vlerën e parashikuar në dosjen e tenderit e kishte 252 mijë euro.
Por, komuna e dha për 312 mijë euro. Kështu, vlera e kontratës së dhënë është 60 mijë euro më e lartë se ajo e parashikuar nga Komuna e Podujevës.

Në dosje të tenderit thuhet se kohëzgjatja e kontratës është 6 muaj.
Në dosje, Komuna e Podujevës ka përcaktuar si kriter për dhënien e kontratës çmimin më të ulët.
Insajderi ka pyetur Komunën e Podujevës se pse është përdorur procedura e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, cilat kanë qenë arsyet për zgjedhjen e kësaj procedure dhe si shpjegohet dallimi prej 60 mijë eurosh mes vlerës së parashikuar dhe asaj të kontratës së dhënë. Megjithatë, komuna nuk ka kthyer përgjigje.
Ndërkaq, kontrata i është dhënë kompanisë që ka për pronar një aktivist të partisë që udhëheq me Podujevën.
Lidhja e DnA Core L.L.C me VV-në
Në Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit të Kosovës (ARBK), DnA Core L.L.C., figuron se për pronar ka Aridon Sylejmani.

Fotografitë e postuara në rrjetet sociale e tregojnë Sylejmanin si pjesëmarrës aktiv në evente dhe aktivitete të Lëvizjes Vetëvendosje.
























