Legjenda e futbollit kolumbian, Carlos Valderrama, ka habitur botën e futbollit me ndryshimin drastik në pamjen e tij.
Ish-mesfushori 65-vjeçar, i njohur në mbarë botën për flokët e tij voluminozë biondë, ka vendosur t’i rruajë ato pas më shumë se gjysmë shekulli.
Valderrama ka publikuar në rrjetet sociale një video ku shfaqet me bashkëshorten e tij, Elvira Redondo, e cila i merr gërshërët dhe ia rruan plotësisht kokën.
“Populli im! Sot është dita”, ka shkruar ai, pa dhënë ndonjë shpjegim për këtë vendim të papritur.
Pamja e re ka shkaktuar habi të madhe te ndjekësit e tij, aq sa disa prej tyre kanë dyshuar se videoja mund të jetë krijuar me inteligjencë artificiale.
I njohur me nofkën “El Pibe”, Valderrama ishte një nga figurat më ikonike të futbollit kolumbian në vitet ’90. Flokët e tij kaçurrela ishin kthyer në simbolin më të dallueshëm të identitetit të tij.Madje, para Kampionatit Botëror të vitit 1994, ai kishte refuzuar një ofertë prej dy milionë dollarësh për t’i prerë flokët.
Këtë herë, megjithatë, legjenda kolumbiane ka vendosur të ndryshojë pamjen që e shoqëroi për dekada të tëra.Në mesin e atyre që reaguan ishte edhe ish-portieri kolumbian René Higuita, i cili e përgëzoi për pamjen e re me fjalët: “Të shkon, o burrë!”
















