Gazeta Online Veriu.info kishte raportuar në korrik të këtij viti për arrestimin e një grupi personash të cilët dyshoheshin për një skemë kriminale, ku kompani importuese nga Shqipëria dyshohet se kanë importuar ujë në vend të derivateve të naftës, duke përdorur kompani fiktive dhe kompani aktive në Kosovë për të realizuar skemën dhe për të fshehur gjurmët e transaksioneve.
Njëri nga të arrestuarit kishte qenë edhe pronari i EuroKos Petrol, Skender Kelmendi.
Bazuar në këtë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) sot ka ngritur aktakuzë ndaj tij dhe të akuzuarve Faruk Mazrek, Fariz Mazrek, Korab Visoka, Fatmir Visoka, Nisret Bajraktari, Dashnim Miftari, Adem Morina, Muhamet Mazrek, Naser Morina, Gazmen Quni dhe Sasivar Mazerek, lidhur me dallavere me transportimin e naftës nga Durrësi për Kosovë.
Në aktakuzë thuhet se 12 të akuzuarit kanë vepruar si grup kriminal ku me dashje dhe dijeni prej janarit 2021 e deri në dhjetor 2025, kanë kryer veprime lidhur me transportimin e derivateve të naftës dhe me paraqitjen e dokumenteve të rrejshme për bizneset e tyre e për shitjen-blerjen, duke realizuar transaksione fiktive dhe kanë shmangur tatimin, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës Skender Kelmendi thuhet se ka bashkëpunuar me Faruk dhe Fariz Mazrek, duke siguruar/lëshuar fatura të rreme në emër të biznesit “Eurokos -Petrol” për shitje dhe blerje të derivateve të naftës nga “PO Petrol Pariz” dhe nga “Seticommerc” nga janari 2021 e deri dhjetor 2025.
Krejt kjo, thuhet se u bë me qëllim që biznesit të tij dhe personave të tjerë t’iu sjellë dobi pasurore të kundërligjshme që burojnë nga blerjet dhe shitje që nuk deklarohen të sakta në librat e tatimeve si të ardhura vjetore të “Eurokos-Petrol”, duke deklaruar kështu si blerje reale fatura fiktive të pranuara nga “PO Petrol Pariz” dhe “Seticommerc” në vlerën prej 1, 744.376.96 euro dhe duke regjistruar dy herë nëntë fatura përmes biznesit “Eurokos Petrol” prej 377,452. 39 euro.
Me këtë rast, dëmi ndaj buxheti të shtetit arrin vlerën e 469 mijë e 460 euro e 36 centë.















