Ish këshilltari i ministres Emilija Rexhepi, Skender Kandiq, është emëruar ekspert nga Komisioni Hetimor Parlamentar për të shqyrtuar rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Rexhepi bashkë me deputetët e partisë me të cilën udhëheq në ekzekutiv votuan pro që Kandiq të jetë në mesin e ekspertëve që do ta shqyrtojë rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Për zgjedhjen e Skender Kandiq si ekspert votuan: Osman Musliu, Adelina Tërshani, Adnan Rrustemi dhe Emilja Rexhepi, dikur shefja e tij.
Skender Kandiq ishte emëruar si këshilltar politik i ministres Emilija Rexhepi gjatë kohës sa kjo e fundit shërbente si zëvendëskryeministre në Qeverinë Kurti 2.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, Kandiqi ishte kandidat i NDS-së, partisë së Emilija Rexhepit, por që nuk arriti të zgjedhej deputet.
Krahas tij, ekspertë të tjerë janë përzgjedhur: Emine Avdyli Pozhari dhe Besarta Breznica.












