Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i LDK’së, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, i cili të martën, gjatë një diskutimi në Paris, tha se gjatë qeverisjes së tij është zvogëluar pabarazia në Kosovë.
Përmes një statusi në Facebook, Hoti ka kundërshtuar pretendimet e Kurtit, duke thënë se treguesit e punësimit dhe pjesëmarrjes në tregun e punës nuk e mbështesin këtë vlerësim.
Sipas Hotit, nga çdo 10 persona të moshës së punës në Kosovë, vetëm katër janë të punësuar, ndërsa te gratë kjo shifër është edhe më e ulët, me vetëm tri në 10 gra të moshës së punës që kanë punë.
Ai ka shtuar se vetëm tre në 10 të rinj të moshës 15 deri në 24 vjeç janë të punësuar, ndërsa gjysma e popullsisë në moshë pune nuk merr pjesë fare në tregun e punës.
Hoti ka thënë se këto raporte kanë mbetur të pandryshuara në pesë vjetët e fundit, pavarësisht miliona eurove të shpenzuara në skema si Superpuna dhe subvencionet, të cilat, sipas tij, nuk kanë pasur efekt real afatgjatë.
Deputeti i LDK-së ka kritikuar gjithashtu gjendjen ekonomike në vend, duke përmendur rritjen e kostos së jetesës, mungesën e sigurimeve shëndetësore, krizën e prodhimit vendor dhe shtrenjtimin e produkteve ushqimore të importuara.
“Për çfarë ulje të pabarazisë po flet ky?”, ka pyetur Hoti në fund të reagimit të tij.
Ndërkaq, Kurti, gjatë pjesëmarrjes në panelin ‘Making Peace Last: Rebuilding Societies After War’, në Forumin e Paqes në Paris, kishte deklaruar se diferenca ndërmjet pagës më të lartë dhe asaj më të ulët është zvogëluar nga raporti 20 me 1, para ardhjes së qeverisë së tij, në 4 me 1 aktualisht.













