Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së kuorumit. Si pasojë, nuk është arritur të caktohet as seanca e radhës dhe as vazhdimi i seancës së ndërprerë, ku ka mbetur për votim Ligji për Dhomat e Specializuara.
“Të nderuar të pranishëm, sot fatkeqësisht mungoi kuorumi në Kryesinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe nuk arritëm të caktonim as seancën e radhës, as vazhdimin e seancës së ndërprerë, ku ka mbetur për votim Ligji për Dhomat e Specializuara. Nuk e kemi asnjë arsye të besojmë që kjo vonesë është e qëllimshme. Ky ligj nuk është i një partie politike. Ky ligj nuk është për një parti politike. Ky ligj është për ushtrinë, çlirimtarët e Kosovës dhe procesin e padrejtë që po zhvillohet në Hagë”, deklaroi Çitaku.
Ajo theksoi se çështja e UÇK-së dhe ish-pjesëtarëve të saj i bashkon partitë parlamentare, pavarësisht dallimeve politike, duke shprehur pritjen që ligji të marrë sërish mbështetjen e subjekteve që e kanë votuar më parë. Sipas saj, votimi pritet të ndodhë brenda kësaj jave.
Çitaku njoftoi se Kryesia e Kuvendit është dakorduar që të mblidhet nesër për të caktuar vazhdimin e seancës dhe pikat e seancës së re. Ajo bëri të ditur se procesi i amendamentimit të ligjit do të nisë menjëherë pas votimit dhe hyrjes së tij në fuqi, duke theksuar se me Lëvizjen Vetëvendosje dhe AAK-në kanë pasur pajtim për përmbajtjen e ligjit, ndërsa dallimet kanë qenë në aspektin procedural.














