Në marketet e Durmartit, kamerat nuk ishin të vendosura vetëm për të përcjellë lëvizjet e njerëzve. Ato shkonin edhe më tej, duke regjistruar bisedat e tyre. Pra, nuk mjaftonte që punonjësit dhe klientët të ishin nën vëzhgimin e 28 kamerave, por sistemi ua regjistronte edhe zërin, pa transparencën dhe bazën ligjore të kërkuar.
Këtë e ka zbuluar Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), e cila pas një inspektimi ka konstatuar shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nga kompania Durmart L.L.C., që menaxhon rrjetin e marketeve me të njëjtin emër.
Veriu.info ka siguruar vendimin e AIP-së nr. 248/2026, të datës 21.10.2026, i cili zbulon se në objektin e kompanisë ishin të instaluara 28 kamera në hapësirat e brendshme dhe të jashtme, pa vendim të brendshëm për instalimin e tyre dhe pa shenja paralajmëruese që do t’i njoftonin qytetarët për vëzhgimin.

Por, shkeljet nuk përfundonin me kaq. Sistemi i kamerave kishte të aktivizuar edhe funksionin e regjistrimit të zërit, ndërsa të dhënat e mbledhura ruheshin deri në 30 ditë.
“Durmart L.L.C. ka të instaluar sistem të vëzhgimit me kamerë në hapësirë të jashtme dhe të brendshme të objektit. Numri total i kamerave është njëzet e tetë (28) copë, nuk ka nxjerrë vendim për instalimin e sistemit të vëzhgimit me kamerë si dhe nuk ka të vendosura shenja njoftuese. Të dhënat personale të mbledhura përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë ruhet në afat prej tridhjetë (30) ditësh. Pas verifikimit të pamjeve të sistemit të vëzhgimit me kamera, u konstatua se kamerat regjistrojnë edhe zërin”, thuhet në vendimin e siguruar nga Veriu.info, të cilin AIP e ka nxjerrë më 21 tetor 2026.
Në arsyetimin e vendimit, AIP thekson se Durmarti nuk kishte bazë ligjore për regjistrimin e zërit dhe nuk kishte dëshmuar se një veprim i tillë ishte i domosdoshëm dhe proporcional për sigurinë e objektit afarist.

Agjencia vlerëson se regjistrimi i zërit përbën ndërhyrje më të thellë në privatësi, pasi përfshin edhe përmbajtjen e komunikimeve verbale. Për më tepër, kompania nuk kishte vendosur shenja paralajmëruese dhe nuk kishte nxjerrë vendim për instalimin e sistemit, ndërsa punonjësit nuk ishin informuar me shkrim për vëzhgimin dhe të drejtat e tyre.
Për këto shkelje, AIP ka urdhëruar Durmartin që menjëherë ta ndërpresë incizimin e zërit, ta largojë funksionin audio-vizual dhe t’i fshijë apo shkatërrojë të dhënat e mbledhura përmes sistemit deri në datën e pranimit të vendimit.
Në pikën e parë të vendimit thuhet: “Urdhërohet “Durmart” L.L.C, me NUI: 810549678 me adresë, në Prishtinë, në cilësinë e kontrolluesit, që menjëherë të ndërpresë inçizimin e zërit dhe të largojë çdo funksion audio vizuale nga sistemi i vëzhgimit me kamera në hapësirat e objektit afarist.”
Kompania është obliguar që brenda 15 ditësh nga pranimi i vendimit t’i ndërmarrë të gjitha veprimet për zbatimin e tij dhe ta njoftojë Agjencinë për Informim dhe Privatësi. AIP e cilëson këtë vendim si vërejtje përfundimtare, me qëllim të parandalimit të përsëritjes së shkeljeve të njëjta.
Veriu.info i ka dërguar pyetje kompanisë Durmart L.L.C. lidhur me gjetjet e AIP-së, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka marrë përgjigje.
Ndryshe, rrjeti i marketeve Durmart është në pronësi të biznesmenit Agron Durmishi.
LEXONI EDHE:
Shteti dënon kompaninë “Durmart” të Agron Durmishit, zbulohet se mashtronte konsumatorët me çmime
“Durmart” i Agron Durmishit mashtron me çmime në muajin e Ramazanit (Foto)
konsumatorin















