Ministri në detyrë, Xhelal Sveçla, ka dhënë detaje se si do të funksionojë xhandarmëria, të cilën Qeveria e Kosovës e përmendi ditë më parë si një mekanizëm të ri sigurie.
Sveçla bëri të ditur se tashmë është themeluar grupi punues për analizimin dhe propozimin e modaliteteve për krijimin e xhandarmërisë, me qëllim forcimin e vijës kufitare, mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, si dhe reagimin e shpejtë ndaj kërcënimeve të nivelit të lartë.
I pyetur se a do të jetë edhe KFOR’it pjesë e grupit punues, ai ka deklaruar se pjesë e këtij grupi, do të jenë përfaqësues nga institucionet e vendit, si nga MPB dhe Policia.
‘‘Pjesë e grupit punues janë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, duke filluar nga Ministria e Punëve të Brendshme, pastaj edhe nga Policia, dhe të gjitha institucionet e tjera që merren me sigurinë. Në vazhdimësi ne do të bisedojmë me të gjithë akterët e tjerë, në mënyrë që, të gjitha idetë, sugjerimet, apo modelet të cilat mund të inkorporohen në kuadër të xhandarmerisë ti kemi parasysh’’, ka deklaruar ai.













