Detaje të reja janë bërë të ditura lidhur me rastin e rëndë që tronditi mëngjesin e 1 nëntorit fshatin Demiraj të Gjilanit, ku një 27-vjeçar dhe një foshnjë u gjetën pa shenja jete brenda një shtëpie.
Policia e Kosovës ka njoftuar se, pas hetimeve fillestare në vendin e ngjarjes, dyshohet se incidenti ka ndodhur brenda familjes. Si person i dyshuar është arrestuar një 65-vjeçar, të cilin Policia e ka identifikuar si babanë e viktimës. Me vendim të prokurorit, ai është ndaluar për 48 orë.
Siç u raportua, 27-vjeçari është identifikuar si Adonis Demiri, ndërsa foshnja e gjetur pa shenja jete ishte e gjinisë femërore.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur gjithashtu se nëna e foshnjës nuk jetonte në të njëjtën shtëpi me 27-vjeçarin dhe vogëlushen.
Sipas njoftimit të Policisë, informacioni për dy personat që dyshohej se kishin ndërruar jetë në shtëpinë në Demiraj është pranuar më 1 nëntor, rreth orës 08:47. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e të dy personave.
Rasti tashmë është cilësuar si “Vrasje e rëndë”, ndërsa trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Policia ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Prokurorinë, po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore dhe operative për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.














