Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës ka ndaluar në kufi mbi 12 tonë produkte ushqimore të importuara nga kompania Vizioni M.Z.I, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Kjo ngarkesë është ndaluar dhe është urdhëruar kthimi i tij në vendin e origjinës, e cila ngarkesë është prodhuar dhe eksportuar nga fabrika AD MLEKARA TETOVO në Maqedoni të Veriut.
Refuzimi i importit është bërë në zbatim të Vendimit të AUV-së të datës 06.11.2026, për ndalimin e importit të produkteve nga kjo fabrikë dhe largimin e saj nga lista e stabilimenteve të aprovuara për eksport të produkteve ushqimore në Republikën e Kosovës.
“Ky vendim është marrë pas konstatimit të shkeljeve të përsëritura të kritereve të sigurisë ushqimore dhe problemeve me higjienën e prodhimit, përfshirë rezultatet e pakënaqshme laboratorike për praninë e bakterit Escherichia coli mbi kufijtë e lejuar në ngarkesa të mëparshme.” – thuhet në komunikatën e AUV.
Kominikata e plotë:
AUV kthen nga kufiri mbi 12 tonë kremra ushqimorë me yndyrë bimore dhe produkte djathi të importuara nga VIZIONI M.Z.I
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në Pikën e Kontrollit Kufitar në Han të Elezit, ka refuzuar hyrjen dhe ka urdhëruar kthimin në vendin e origjinës të dy ngarkesave me gjithsej 12,268 kilogramë produkte ushqimore, të importuara nga kompania VIZIONI M.Z.I.I SH.P.K., Preoc, Graçanicë. Produktet ishin prodhuar dhe eksportuar nga fabrika AD MLEKARA TETOVO, nga Republika e Maqedonisë së Veriut.
Refuzimi i importit është bërë në zbatim të Vendimit të AUV-së nr. AUV.01/678/2026, të datës 06.11.2026, për ndalimin e importit të produkteve nga kjo fabrikë dhe largimin e saj nga lista e stabilimenteve të aprovuara për eksport të produkteve ushqimore në Republikën e Kosovës.
Ky vendim është marrë pas konstatimit të shkeljeve të përsëritura të kritereve të sigurisë ushqimore dhe problemeve me higjienën e prodhimit, përfshirë rezultatet e pakënaqshme laboratorike për praninë e bakterit Escherichia coli mbi kufijtë e lejuar në ngarkesa të mëparshme.
Ngarkesat e refuzuara në kufi
Ngarkesa e parë – 7,368 kg, me numër PIKV00148643/2026, përmbante produkte të llojeve Natura Delikates, Duble Cream Masterfood, Extra Delikates Aksion dhe Kravjo Sirenje.
Ngarkesa e dytë – 4,900 kg, me numër PIKV00148653/2026, përmbante produktet Natura Sharplaninska dhe Cream Extra Masterfood.
Për të dyja ngarkesat, inspektori veterinar kufitar ka nxjerrë vendime zyrtare për refuzimin e importit dhe kthimin e produkteve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Asnjëra nga këto dy ngarkesa nuk është lejuar të hyjë në tregun e Republikës së Kosovës.
AUV do të vazhdojë zbatimin e ndalesës së importit nga ky prodhues, si dhe kontrollet dhe verifikimin e gjurmueshmërisë së produkteve të importuara më parë, për të identifikuar çdo produkt eventualisht jokonform që mund të jetë ende në treg.
Siguria e ushqimit dhe mbrojtja e shëndetit të konsumatorëve mbeten prioritet i kontrolleve zyrtare të AUV-së.













