Më 23 tetor të këtij viti komuna e Suharekës e udhëhequr nga Bali Muharremaj ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Famis Co” për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve, kompani me të cilën kishte kontratë edhe vitin e kaluar si pjesë e konsorciumit me kompaninë “NexBuild Co LLC”.
Në kontratën e vitit 2025, për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve lokale ishte paraparë vlera e përgjithshme prej 200 mijë eurosh, ndërsa në kontratën e vitit 2026 kjo vlerë është rritur në 290 mijë euro.

Ajo që bie në sy në këtë kontratë të re krahasuar me kontratën e vitit të kaluar është rritja enorme e çmimit të disa pozicioneve që shkon deri në 900%.
Pozicioni A2, që ka të bëjë me orët efektive të udhëtimit, në kontratën e re është paraparë me çmim prej 280 eurosh për orë. Në kontratën e vitit 2025, për të njëjtin pozicion, çmimi ishte 200 euro për orë.
Pozicioni B1 përfshin furnizimin, transportin dhe shpërndarjen e kripës. Për këtë shërbim, Komuna e Suharekës do të paguajë 350 euro për një ton, ndërsa në kontratën e lidhur 11 muaj më herët, i njëjti shërbim kushtonte vetëm 220 euro.
Rritje të madhe ka edhe pozicioni C1, që ka të bëjë me hapjen e rrugëve me makineri ekskavator-ngarkuese me kapacitet 0.4 deri në 3.0 metra kub. Ky shërbim në kontratën e re do t’i kushtojë Suharekës 450 euro për orë, ndërsa në kontratën e vitit 2025 kushtonte 250 euro.
Një nga pozicionet me rritjen më të madhe është C4, që ka të bëjë me hapjen e rrugëve me hedhës bore. Brenda më pak se një viti, çmimi për këtë shërbim është rritur për 900 për qind. Nga 5 euro për orë sa paguhej në vitin 2025, në kontratën e vitit 2026 çmimi ka arritur në 50 euro për orë.
Më poshtë i gjeni rritjet sipas pozicioneve:


















