Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza ka reaguar pas kalimit të projektligjeve në Kuvendin e Kosovës, që partnerët ndërkombëtarë i konsideruan si problematike dhe në kundërshtim me rekomandimet e tyre.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ai ka thënë se sipas përvojës së tij, çdo ligj është miratuar vetëm kur është harmonizuar me standardet evropiane dhe praktikat demokratike.
Sipas tij, miratimi i këtyre dy ligjeve është absurditet, e madje, kjo qasje e ka vendosur Kosovën nën sanksione.
“Bazuar në përvojën time të gjatë, çdo ligj e kemi miratuar vetëm atëherë kur e kemi harmonizuar me standardet evropiane dhe praktikat më të mira demokratike. Prandaj është absurditet i llojit të vet miratimi i dy ligjeve të djeshme në Kuvendin e Kosovës, në kundërshtim me rekomandimet e BE-së dhe organizatave vendore e ndërkombëtare. Kjo qasje e ka futur Kosovën nën sanksione. Kjo qasje po e largon Kosovën nga rruga e integrimit në BE dhe NATO.” – tha ai.
Në fund, Hamza shtoi:
“Rendi demokratik, liria e shprehjes dhe drejtësia e pavarur janë vlerat më të çmuara në botën demokratike. Kosova duhet t’i mbrojë këto vlera, t’i forcojë këto liri dhe jo t’i cenojë e sulmojë!”.
Postimi i plotë:
Dje dhe sot i kam përcjell reagimet vendore dhe ndërkombëtare rreth Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, që Qeveria i procedoi dhe miratoi në kundërshtim me rekomandimet e Zyrës së BE-së, OSBE-së dhe shteteve partnere.
Bazuar në përvojën time të gjatë, çdo ligj e kemi miratuar vetëm atëherë kur e kemi harmonizuar me standardet evropiane dhe praktikat më të mira demokratike. Prandaj është absurditet i llojit të vet miratimi i dy ligjeve të djeshme në Kuvendin e Kosovës, në kundërshtim me rekomandimet e BE-së dhe organizatave vendore e ndërkombëtare. Kjo qasje e ka futur Kosovën nën sanksione. Kjo qasje po e largon Kosovën nga rruga e integrimit në BE dhe NATO.
Rendi demokratik, liria e shprehjes dhe drejtësia e pavarur janë vlerat më të çmuara në botën demokratike. Kosova duhet t’i mbrojë këto vlera, t’i forcojë këto liri dhe jo t’i cenojë e sulmojë!
(Foto: AGK)














