Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se Spanja, Irlanda dhe Sllovenia do ta njohin pavarësinë e Palestinës më 21 maj.
“Ky është një akt simbolik i natyrës politike. Më shumë se një shtet, ky e njeh vullnetin që ai shtet të ekzistojë” – tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, duke shtuar se, përpos Spanjës, Irlandës e Sllovenisë, edhe Belgjika dhe disa shtete të tjera mund ta njohin Palestinën më vonë, raporton agjencia “Reuters”.
Më parë, ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, kishte thënë se ishte marrë një vendim për njohje, edhe pse nuk kishte dhënë datë.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, kishte thënë në mars se Spanja, Irlanda, Sllovenia e Malta ishin pajtuar për t’i bërë hapat e parë drejt njohjes së një shteti palestinez krahas Izraelit, duke e parë zgjidhjen me dy shtete si thelbësore për paqe të qëndrueshme.
Kur u pyet në radiostacionin spanjoll, RNE, nëse data 21 maj është koha kur Spanja, Irlanda dhe vende të tjera të BE-së do ta njohin Palestinën, Borrelli pohoi, duke e përmendur edhe Slloveninë.
Izraeli ka thënë se planet për njohjen e Palestinës përbëjnë “shpërblim për terrorizëm” që do t’i zvogëlojë gjasat për zgjidhje të negociuar për konfliktin e Gazës.