Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha të mërkurën se Kosova është e bindur se Rusia duhet ta humbasë luftën në Ukrainë që konflikti të mos përhapet më tej në Evropë. Ajo tha se mbështetja për Ukrainën është e pakushtëzuar edhe pse Kievi nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Ashtu si ukrainasit sot, populli i Kosovës ishte objektiv i krimeve të luftës dhe mizorive të tjera nga forcat e sigurisë së Serbisë në vitet 1990, një përvojë që e çoi Kosovën të kërkonte pavarësinë, shkruan AP.
Gërvalla tha se Kosova vazhdimisht i kujton synimet agresive të Serbisë dhe aleatit të saj Rusisë.
“Ukraina nuk e ka njohur Republikën e Kosovës si shtet, por ne vërtet besojmë se e dimë saktësisht se çfarë po kalon Ukraina”, tha ajo në një intervistë për Associated Press.