Haxhiu ka folur edhe për zhvillimet e fundit në LDK, duke e cilësuar si lajm të mirë qëndrimin në krye të partisë të Lumir Abdixhikut.
Ajo e quajti lajm të mirë mbajtjen e Kuvendit të LDK-së dhe faktin që Abdixhiku mbeti në drejtimin e partisë, pasi paraprakisht kishte zhvilluar takime me liderin e VV-së, Albin Kurti, për të cilat ishte raportuar se palët kishin arritur disa pajtime parimore.
Tutje, Haxhiu tha se është e rëndësishme që këto takime të vazhdojnë dhe se do të ketë përpjekje maksimale për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së vendit.
“Së pari, është lajm i mirë që tashmë kemi pasë një mbledhje të LDK-së dje. Pra, lajm i mirë në kuptimin që tashmë mund të vazhdojnë takimet, sepse siç e dini, ato janë të pezulluara deri në qartësimin e situatës brenda LDK-së. Sigurisht që nuk është në mandatin tim as në përgjegjësitë e mia, sidomos jo në cilësinë që jam, që të flas për atë çështje, por është shumë e rëndësishme që takimet të vazhdojnë. Pra, ato të fillojnë dhe të mbahen. Dhe të ketë përpjekje maksimale, seriozitet, që të arrihet një marrëveshje, me të cilën arrijmë, pra të kemi një konsensus për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së vendit. Pra, është shumë e rëndësishme që këto takime të vazhdojnë sa më parë”, tha Haxhiu.












