Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj asaj që e cilëson si gjuhë linçimi kundër gazetarit Fidan Jupolli, duke akuzuar Albin Kurtin dhe ndjekësit e tij për promovimin e një gjuhe të tillë ndaj kritikëve
“Gjuha e linçimit ndaj kritikëve, e promovuar me fanatizëm nga Kurti dhe ndjekësit e tij, këto ditë është drejtuar ndaj gazetarit Fidan Jupolli.”
Hoti ka kujtuar periudhën kur ishte në pushtet, duke theksuar se Jupolli kishte qenë vazhdimisht kritik ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve të tij, por se kjo nuk kishte nxitur përpjekje për ta linçuar gazetarin.
“Kur kemi qenë në pushtet, Fidan Jupolli na ka kritikuar dhe ka bërë satirë çdo ditë. Por asnjëherë askujt nga ne as nuk i ka shkuar mendja ta linçojmë atë. Sepse dallimi mes demokracisë dhe mentalitetit autoritar qëndron pikërisht te mënyra se si i trajtojmë ata që nuk pajtohen me ne.”
REKLAMË
Sipas deputetit të LDK-së, mënyra se si pushteti i trajton kritikët është pikërisht ajo që e dallon një qeverisje demokratike nga një mentalitet autoritar.
Ai ka theksuar se gazetarët nuk kanë nevojë për miratimin e pushtetit për ta ushtruar lirisht profesionin e tyre.
“Pushteti demokratik i përballon kritikat. Gazetarët nuk kanë nevojë për lejen e pushtetit për të folur lirshëm.”
Në fund të reagimit të tij, Hoti ka insistuar se mbrojtja e lirisë së shprehjes merr kuptim veçanërisht kur qëndrimet e shprehura nuk i pëlqejnë pushtetit.
“Fjala e lirë mbrohet sidomos atëherë kur nuk na pëlqen ajo që thuhet!”, ka përfunduar Hoti.













