Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur mbështetje për “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Mbështetja u bë e ditur gjatë një takimi të përfaqësuesve të platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha, Ismail Tasholli dhe Ridvan Emini, me drejtuesit e IKD-së.
Drejtuesit e IKD-së theksuan se institucioni në vazhdimësi ka kërkuar që procesi gjyqësor në Hagë të zhvillohet në mënyrë të drejtë, të pavarur dhe në përputhje me standardet e gjykimit të drejtë.
Përfaqësuesit e “Liria ka Emër” falënderuan IKD-në për mbështetjen, duke theksuar se Kosova pret drejtësi, liri dhe kthimin në atdhe të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Marshi për Liri” do të mbahet më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë.












