Me 62 vota, Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje u rizgjodh në krye të organit ligjvënës në vazhdimin e seancës konstituive, që nisi më 6 gusht.
Megjithatë, procedura ngeci te zgjedhja e pesë nënkryetarëve – tri nga partitë shqiptare dhe dy nga komunitetet joshumicë.
Partitë nuk gjetën pajtim për mënyrën e votimit të nënkryetarëve: ndaras apo në pako. Legjislaturën e kaluar ata ishin votuar në pako.
Por, Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – partia fituese e zgjedhjeve të qershorit – tha se Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po kërkojnë vota për nënkryetarët, por nuk po e mbështesin propozimin për president.
PDK dhe LDK e akuzuan LVV-në e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për zvarritje të procesit të formimit të institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e qershorit.
Një tjetër pengesë ishte një formulim i përdorur nga Igor Simiq i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – gjatë propozimit të Sllavko Simiqit për postin e nënkryetarit.
Ai e propozoi Simiqin në këtë post “në emër të popullit serb”. Kryetarja e sapozgjedhur e organit ligjvënës më pas i kërkoi Igor Simiqit të tërhiqte fjalën dhe ta propozonte sërish kandidatin për nënkryetar.
Haxhiu argumentoi se në Kosovë nuk ka popull serb, por vetëm popull të Kosovës, teksa shtyu seancën për të premten.
Lista Serbe këtë formulim e kishte përdorur edhe më herët në Kuvendin e Kosovës.
Seanca e sotme u bojkotua nga Aleanca që ka shtatë deputetë, e cila ka argumentuar se LVV-ja ka shkelur afatin kushtetues prej 30-ditësh nga certifikimi i zgjedhjeve, që skadoi më 7 gusht, por edhe afatin e vendosur nga partia e Kurtit – që skadoi më 5 shtator.
Konstituimi i Kuvendit do t’i hapte rrugë formimit të Qeverisë së re të Kosovës dhe zgjedhjes së presidentit.
Pikërisht, për shkak të mosarritjes së një konsensusi për çështjen e presidentit, Kosova mbajti zgjedhjet në qershor. Nëse edhe kësaj radhe partitë nuk arrijnë konsensus për këtë çështje, atëherë qytetarët do t’iu drejtoheshin kutive të votimit për herë të katërt që nga shkurti i vitit 2025.













