Gjatë hulumtimit për institucionet shëndetësore private që operojnë në mënyrë të kundërligjshme, me shërbime të palicencuara dhe staf ilegal (të palicencuar), kemi gjetur se në një laborator në Prishtinë janë evidentuar shkelje të shumta. Veriu.info ka siguruar raportin e inspektimit të Inspektoratit Shëndetësor në Institucionin Privat Shëndetësor “ELAB Kosova SH.P.K” në Prishtinë, në të cilin janë konstatuar një varg shkeljesh profesionale dhe administrative. Ky inspektim është realizuar pas ankesës së një pacienteje, e cila ka denoncuar pasaktësi drastike të rezultateve laboratorike që i kushtuan asaj anulimin e një procedure të rëndësishme mjekësore.
Rasti ka nisur pasi qytetari A. R. (emër i njohur për redaksinë), në emër të bashkëshortes së tij, pacientes M.B. (emër i njohur për redaksinë), iu drejtua drejtuar Inspektoratit Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë për shkak të mospërputhjeve të mëdha në analizat e Progesteronit në laboratore private.
Qëllimi i analizës ishte që t’i paraprihet një procesi të ndjeshëm për bartjen e embrionit (IVF/FEA) dhe ndiqte një terapi të rreptë hormonale, me ç’rast kishte marrë dy herë radhazi rezultate prej mbi 60 ng/mL nga laboratori “ELAB Kosova”.
Duke dyshuar në saktësinë e këtyre rezultateve, ajo kishte përsëritur analizat brenda po asaj dite në tre laboratorë të tjerë të licencuar (“Avicenaks”, “Fati Im” dhe “Elita Plus”). Pas këtyre analizave, rezultatet e reja dolën në këto parametra: 11.1 ng/mL, 10.4 ng/mL dhe 8.75 ng/mL.
Kjo diferencë e frikshme në rezultatet e analizave, kishte për pasojë anulimin e menjëhershëm të procedurës mjekësore nga pacientja, duke i shkaktuar asaj dëme të rënda emocionale, shëndetësore dhe financiare.
Gjetjet e Inspektoratit Shëndetësor
Sipas Raportit Inspektues dhe procesverbalit të siguruara nga Veriu.info, në laboratorin “ELAB Kosova” janë konstatuar këto parregullsi:
- Laboratori pa mbikëqyrje: Në momentin e inspektimit, analizat biokimike po punoheshin nga A. Ukmata (Baçelor i Shkencave në Infermieri) pa mbikëqyrjen e specialistit të biokimisë klinike.
- Mjeku i paregjistruar në njësi: Verifikimi i rezultateve rezulton të jetë bërë nga dr. Gramos Begolli, ndonëse i njëjti nuk figuronte fare i lajmëruar në Divizionin për Licencim dhe Akreditim (DLA) për këtë njësi të veçantë, por ishte i regjistruar në një degë tjetër të të njëjtit subjekt.
- Mungesa e nënshkrimeve: Regjistirmi i pacientëve nuk nënshkruhej nga personi që e ka ofruar shërbimin.
- Mospërputhjet skandaloze të analizave: Raporti konfirmon pretendimet e palës për shifrat e Progesteronit (>60 ng/mL në “ELAB Kosova” kundrejt 8–11 ng/mL në laboratorët e tjerë), që çuan në dështimin e procedurës mjekësore të pacientes.
- Mungesa e dëshmive në terren: Gjatë kontrollit, inspektorët nuk kanë gjetur dëshmi apo gjurmë të dokumentuara fizike/elektronike për mënyrën e lëshimit të atyre rezultateve në çastin e inspektimit.
Përgjigjja e laboratorit dhe arsyetimi i specialistit
Në shkresën e tij dërguar Inspektoratit më 7 maj 2026, Dr. Gramos Begolli ka këmbëngulur në saktësinë e punës, duke thënë se dy matjet e kryera kishin dhënë konsistencë të plotë. Ai ka aluduar se dallimet mund të vijnë si pasojë e metodave të ndryshme analitike, reagjentëve apo faktorëve pre-analitikë.
Ankesa e bashkëshortit të pacientes:
Në ankesën e detajuar të dorëzuar nga A.R. në emër të bashkëshortes së tij, pacientes M.B., hidhen dyshime të forta mbi sigurinë dhe besueshmërinë e shërbimeve në laboratorin “ELAB Kosova”. Sipas ankuesit, pacientja ka qenë duke u përgatitur për procedurën e ndjeshme të bartjes së embrionit (IVF) dhe ndiqte një terapi hormonale, ku monitorimi i saktë i progesteronit ishte vendimtar.
Pasi laboratori lëshoi dy herë radhazi rezultate prej mbi $60 ng/mL$, ku ato sollën anulimin e menjëhershëm të procedurës mjekësore, pacientja i përsëriti analizat brenda po asaj dite në tre laboratorë të tjerë, ku vlerat dolën normale dhe të përafërta (mes 8.75 dhe 11.1 ng/mL), duke shkaktuar dëme të rënda emocionale, shëndetësore dhe financiare.
Në vijim të ankesës, theksohet se gjatë kontaktit të parë stafi i laboratorit ka këmbëngulur me kokëfortësi në saktësinë e shifrave duke e sugjeruar shpërfilljen e rezultateve të tjera, ndërsa ditën pasuese, sipas tij, përgjegjësit pranuan privatisht se kishte pasur një problem teknik me reagjentin, pa e pranuar zyrtarisht gabimin.
Ndryshe, në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovë ky laborator figuron nën pronësinë e “Elab fulya tibbi tahlil laborator hizmetleri anonim sirketi”, kompani laboratorike kjo me bazë në Turqi ku si drejtoreshë figuron Pinar Er, e cila në publik prezantohet si pronare e kompanisë.
Veriu.info ka tentuar të marrë një qëndrim nga “ELAB Kosova” Sh.P.K. për këtë raport të Inspektoratit Shëndetësor, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk kemi pranuar përgjigje për pyetjet e dërguara.
Më poshtë dokumentet zyrtare, ankesën e palës, si dhe kopjet e raporteve krahasuese nga katër laboratorët:







LEXONI EDHE:














