Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është dënuar me 3 vjet e 8 muaj burgim për rastin e njohur si “53-milionëshi”.
Aktgjykimi është shpallur sot nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rigjykimin e këtij rasti.
Përveç dënimit me burgim, gjykata i ka shqiptuar Lekajt edhe dënim plotësues, duke ia ndaluar ushtrimin e funksioneve në administratën publike për 3 vjet e 8 muaj. Ky dënim do të zbatohet pas përfundimit të dënimit me burgim.
Lekaj dhe të akuzuarit e tjerë janë përfshirë në rastin që lidhet me pagesën shtesë prej 53.1 milionë eurosh ndaj kompanisë “Bechtel & Enka”, për zgjatjen e afatit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”.
Rasti kishte përfunduar në rigjykim pasi Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e parë dhe e kishte kthyer çështjen në rivendosje.













