Privatizimi i Rrjetit të Shpërndarjes në vitin 2013 nga politikanët vendor ishte prezantuar si investim që do të sillte kapitalin privat në sektorin e energjisë. Parashiheshin mbi 300 milionë euro investime nga konsorciumi Çalik-Limak, më vonë KEDS, për modernizimin e rrjetit elektrik të Kosovës. Mirëpo kontrata e privatizimit, që u mbajt sekret për shumë vite, tregon një anë krejt tjetër të medaljes.
Nga rreth 170 faqe sa i ka kontrata e privatizimit të Distribucionit dhe Furnizimit të KEK-ut, nuk mund të gjendet asnjë dispozitë e vetme që e ngarkon me përgjegjësi kompaninë private në rast të dështimit për furnizim me energji elektrike për qytetarët e Kosovës, raporton Buletini Ekonomik.
Kontrata është e ndërtuar në atë mënyrë që ia garanton investitorit privat fitimet në të gjitha rastet, ndërsa të gjitha rreziqet dhe dështimet i faturohen shtetit të Kosovës dhe konsumatorëve të rrymës.
Kontrata që u mbajt sekret për vite me radhë shpërfaq një realitet krejt tjetër nga ai që është prezantuar nga politikanët vendorë me rastin e privatizimit.
Përkundër privatizimit, sipas kësaj kontrate, që u bë publike nga ministria e Ekonomisë këtë muaj, një pjesë e rëndësishme e rrezikut financiar dhe operativ mbeti te sektori publik, përkatësisht te KEK-u, Qeveria dhe, në fund, te konsumatorët.
Operatori privat mori furnizimin dhe distribucionin, ndërsa KEK-u dhe Qeveria mbetën mekanizma mbështetës kur sistemi energjetik do të përballej me mungesë energjie.
Kontratën e përbëjnë tri marrëveshje kryesore: Marrëveshja e Zbatimit (Implementation Agreement), Marrëveshja për Furnizim me Energji me Shumicë (Bulk Supply Agreement) dhe Marrëveshja për Furnizim me Energji Elektrike nga Importi (Import Supply Agreement).
Së bashku, këto marrëveshje krijuan ‘arkitekturën’ e re të tregut të energjisë në Kosovë pas privatizimit të Distribucionit. Kështu, KEK-u mbeti prodhuesi publik i energjisë elektrike, ndërsa KEDS/KESCO morën nën menaxhim Rrjetin e Shpërndarjes dhe furnizimin me energji elektrike për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Por, ani pse rolet u ndanë, njëjtë nuk ndodhi edhe me rrezikun. Këto tri marrëveshje krijojnë një mekanizëm ku operatori privat përfiton qasje të sigurt në energjinë e KEK-ut me çmim të fiksuar prej 29.50 euro për megavat/orë, ndërsa rreziku i mungesës së energjisë, importit të shtrenjtë dhe subvencioneve i mbetet KEK-ut, Qeverisë dhe konsumatorëve të rrymës.
Investimet kapitale në rrjet u bartën në tarifa konsumatorëve
Kontrata parasheh se investitori, në këtë rast KEDS, obligohet të investojë 300 milionë euro në rrjetin elektrik të Kosovës. Në mungesë të publikimit të kontratës, për vite me radhë ishte menduar se investimet do t’i bartte investitori. Vetë drejtuesit e kompanisë turke kishin lënë të nënkuptohej një gjë e tillë sa herë që ishin deklaruar për investimet në media.
Mirëpo në kontratën e privatizimit thuhet se investitori obligohet t’i investojë këto 300 milionë euro në rrjetin e shpërndarjes vetëm me kushtin që Zyra e Rregullatorit të Energjisë ta lejojë përfshirjen e ndikimit të këtyre investimeve në tarifa. Pra, investimi nuk bie domosdoshmërisht mbi investitorin, por kostoja bartet te konsumatorët përmes faturave.
Sipas kontratës, kompania merr asetet dhe të drejtën e operimit, ndërsa investimet mund t’i rikuperojë përmes tarifave.
Marrëveshja KEK–KESCO “pa afat”
Një nga marrëveshjet kryesore që është pjesë e kësaj kontrate është ajo mes Korporatës Energjetike të Kosovës dhe KESCO-s për furnizim me energji elektrike me shumicë. Kjo marrëveshje, e njohur ndryshe si BSA (Bulk Supply Agreement), i garanton KESCO-s qasje të sigurt në energjinë e prodhuar nga KEK-u me çmim shumë më të lirë se çmimi i tregut. Aktualisht, çmimi me të cilin KESCO e blen energjinë nga KEK-u është 29.50 euro për megavat/orë.
Sipas kësaj marrëveshjeje, KEK mund ta shesë energjinë elektrike te blerës të tjerë, por vetëm pasi kjo energji t’i jetë ofruar fillimisht KEDS/KESCO-s për furnizimin e konsumatorëve të përcaktuar në marrëveshje.
Të vetmet raste kur KEK mund të shesë energji përtej KESCO-s janë tepricat e energjisë elektrike që shfaqen natën, kur bie konsumi.
Kjo marrëveshje, pra, i jep KESCO-s qasje të sigurt në energjinë e KEK-ut dhe e vendos atë në pozitë më të favorshme se furnizuesit e tjerë potencialë.
Neni 5.6 i kësaj marrëveshjeje thotë se “KEK mund ta shesë energjinë që nuk kërkohet nga KEDS/KESCO te blerës të tjerë, por vetëm pasi kjo energji t’i jetë ofruar së pari KEDS/KESCO-s”.
Kështu, KESCO mbetet kompania e vetme me të drejtën e shërbimit universal, që i bie se fitoi monopolin për furnizim me energji elektrike për të gjithë konsumatorët shtëpiakë.
Ajo që nuk mund të gjendet askund në këtë kontratë është ndonjë afat se sa do të zgjasë kjo marrëveshje. Kosova shpesh është kritikuar nga institucionet ndërkombëtare të energjetikës për këtë marrëveshje, pasi sipas tyre ajo minon konkurrencën e lirë.
Marrëveshja për import: rreziku i mbeti Qeverisë, KEK-ut dhe konsumatorëve
Marrëveshja e dytë e përfshirë në kontratën e privatizimit është marrëveshja e furnizimit me energji elektrike nga importi. E njohur si ISA (Import Supply Agreement), kjo marrëveshje rregullon situatën se çfarë ndodh kur energjia e prodhuar nga KEK-u nuk mjafton për ta garantuar konsumin vendor.
Sipas kontratës, të gjitha kostot dhe rreziqet e dështimeve nga importi i energjisë elektrike iu bartën KEK-ut dhe konsumatorëve të rrymës.
Sipas nenit 1.1.1 të kontratës, KEK pajtohet të furnizojë, ndërsa KEDS pajtohet të pranojë energjinë elektrike të importuar. Pra, importi nuk vendoset si barrë direkte vetëm e KEDS-it, por kalon edhe përmes KEK-ut.
Madje, kontrata parasheh edhe subvencionimin nga Qeveria në rast të dështimit të KEK-ut për t’i kryer obligimet ndaj operatorit privat.
Kjo është përfshirë në nenin 5.1.2. Ky nen parasheh që KEK duhet t’ia vërë në dispozicion KEDS-it energjinë e importuar dhe, “për aq kohë sa KEK mund të sigurojë subvencion nga Qeveria për import të energjisë me një çmim të pranueshëm për KEDS-in, KEK duhet të hyjë në marrëveshje të reja importi dhe t’ia japë këtë energji KEDS-it”.
Në jo pak raste kemi parë se Qeveria e Kosovës ka subvencionuar KESCO-n, siç është thënë, për t’i ndihmuar qytetarët e Kosovës nga çmimet e larta të importit. Por nuk është përmendur asnjëherë që kjo parashihet edhe me kontratën e privatizimit.
Kjo klauzolë përbën risi, sepse në kontratë përmendet “subvencionimi i Qeverisë” dhe “çmimi i pranueshëm për KEDS-in”.
Derisa neni 5.1.2 e lidh importin me subvencionin e Qeverisë dhe me çmimin e pranueshëm për KEDS-in, neni 6.2 parasheh që çdo subvencionim nga Qeveria të zbritet nga çmimi që i faturohet KEDS-it. Pikat 5.1.4, 5.1.5 dhe 5.1.6 e ngarkojnë KEK-un me zbatimin, pagesat dhe shitjen e energjisë së importuar. Pika 5.12 e bën KEK-un përgjegjës për kostot në rast dështimi të dorëzimit të energjisë elektrike. Ndërsa neni 11.4 e kufizon përgjegjësinë e KEDS-it kryesisht te pagesa e çmimit.
Kjo i bie se, nëse energjia në treg është e shtrenjtë, KEK-u mund të importojë me ndihmën e Qeverisë, ndërsa KEDS/KESCO nuk e bart domosdoshmërisht koston e çmimit të tregut. Pra, ideja e subvencionimit të importit nga Qeveria ka për synim ta ulë koston e importit të energjisë elektrike për operatorin privat, brenda caqeve të lejuara.
Me fjalë të tjera: nëse Qeveria subvencionon KEK-un për import, ky subvencion e ul çmimin që i kalon KEDS-it.
Sipas kontratës, Qeveria e Kosovës në njëfarë mënyre zotohet se “do të sigurohet që ta mbajë KEK-un të aftë për import”. Kjo në shërbim të asaj që në asnjë rast të mos dëmtohet kompania private. Kjo përmendet sidomos te pika 3.1.6(a). Ky nen parasheh që Qeveria e Kosovës të punojë me KEK-un dhe ZRRE-në për të siguruar që KEK-u të mbetet i licencuar për import të energjisë elektrike.
KEK-u, përgjegjës për kontratat e importit
Marrëveshja për import është e hartuar në atë mënyrë që duket se e mbron operatorin privat nga disa prej rreziqeve më të mëdha të tregut të energjisë.
Kjo marrëveshje nuk e bën KEK-un vetëm ndërmjetësues, por edhe përgjegjës për zbatimin e marrëveshjeve të importit.
Sipas nenit 5.1.4, KEK duhet të sigurojë përmbushjen e marrëveshjeve të importit dhe të mos shkaktojë ndërprerje të furnizimit. Ndërsa sipas pikës 5.1.5, KEK duhet t’i bëjë pagesat që dalin nga këto marrëveshje.
Pika tjetër, 5.1.6, thotë se KEK duhet t’ia shesë KEDS-it energjinë që sigurohet nga këto marrëveshje.
Pra, sipas kësaj, KEK mori përsipër kontraktimin e importit, pagesat, zbatimin e marrëveshjeve dhe shitjen e energjisë te KEDS/KESCO.
Një pikë tjetër diskutabile është pika 5.12. Aty thuhet se nëse KEK dështon të dorëzojë energjinë e nominuar nga KEDS, KEK duhet ta dëmshpërblejë dhe ta mbajë KEDS-in të padëmtuar nga kostot e balancimit dhe kostot tjera që dalin nga ky dështim.
Kjo do të thotë se në rast të mosdorëzimit të energjisë, KEDS-i nuk ndërmerr asnjë rrezik, por përgjegjësia dhe barra financiare për këtë i mbetet KEK-ut.
Ndërsa KEK-ut i vihen në barrë gati të gjitha obligimet operative për import, në anën tjetër neni 11.4 e kufizon përgjegjësinë e KEDS-it kryesisht te pagesa e çmimit sipas marrëveshjes.
Pra, KEK-u merret me importin, licencat, pagesat, dorëzimin e energjisë dhe dëmshpërblimet, ndërsa KEDS-it i mbetet të paguajë vetëm çmimin e enegjisë që “duhet të jetë i pranueshëm për KEDS”.
Prokurimi i KEDS mbeti jashtë rregullave të prokurimit publik të Kosovës
Një tjetër pikë problematike lidhet me prokurimin. Sipas nenit 4.9 të Marrëveshjes së Zbatimit, KEDS mund të blejë mallra dhe shërbime në “kushte komerciale”. Kontrata nuk e lidh qartë KEDS-in me procedurat klasike të prokurimit publik të Kosovës.
Për vite me radhë KEDS është kritikuar për procedurat e prokurimit që ndjek. Në vitin 2019 kishte marrë edhe vërejtje nga ZRRE se nuk është duke i respektuar rregullat e prokurimit publik të Kosovës.
Por nuk ishte përmendur asnjëherë se këtë ia mundëson kontrata e privatizimit.
Nëse prokurimi nuk është transparent dhe konkurrues, qytetarët mund të paguajnë përmes tarifave kosto që nuk kanë kaluar përmes procedurave që garantojnë çmimin më të favorshëm.
Që nga privatizimi në vitin 2013, ZRRE nuk ka audituar asnjëherë investimet kapitale të KEDS-it, duke ngarkuar në tarifa shpenzime të paaudituara./Buletini Ekonomik










