Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se bashkë me Fatmire Kollçakun dhe Liza Gashin iu është ndaluar vizita në Preshevë.
Të shoqëruar nga Ragmi Mustafi, ato u ndaluan në pikën kufitare serbe për dy orë, pa asnjë shpjegim, transmeton IndeksOnline.
Arsyeja e vizitës së tyre ishte shprehja e ngushëllimeve për vdekjen e babait të Ardita Sinanit.
“Por, pushteti i Vuçiqit, përmes policisë, na ndaloi në pikën kufitare. Pas më shumë se dy orësh pritjeje, pa asnjë shpjegim, na u komunikua se nuk na lejohej të vazhdonim rrugën dhe se duhej të ktheheshim.
As ngushëllimet në një rast zie nuk i lanë jashtë politikës. Një vizitë krejtësisht private, njerëzore dhe pa asnjë agjendë politike u pengua, duke na detyruar që ngushëllimet t’ia shprehnim në rrugë, pranë kufirit, ku Ardita erdhi së bashku me familjarët e saj për të na takuar” shkroi Nagavci.
Ky është postimi i plotë i saj:
Bashkë me deputetet Fatmire Kollçaku dhe Liza Gashi, si dhe këshilltarin politik të Kryeministrit, Ragmi Mustafi, u nisëm sot drejt Preshevës për t’i shprehur ngushëllimet tona Kryetares së Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, me rastin e ndarjes nga jeta të babait të saj.
Por, pushteti i Vuçiqit, përmes policisë, na ndaloi në pikën kufitare. Pas më shumë se dy orësh pritjeje, pa asnjë shpjegim, na u komunikua se nuk na lejohej të vazhdonim rrugën dhe se duhej të ktheheshim.
As ngushëllimet në një rast zie nuk i lanë jashtë politikës. Një vizitë krejtësisht private, njerëzore dhe pa asnjë agjendë politike u pengua, duke na detyruar që ngushëllimet t’ia shprehnim në rrugë, pranë kufirit, ku Ardita erdhi së bashku me familjarët e saj për të na takuar.
Ky veprim është i papranueshëm. Serbia duhet të respektojë detyrimet që ka marrë përsipër, në vend që të pengojë qytetarët e Republikës së Kosovës. Për këtë rast do të informojmë autoritetet kompetente dhe institucionet e Bashkimit Evropian.













