I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka shpjeguar arsyet pse negociatat në Bruksel zhvillohen kryesisht në mënyrë konfidenciale.
Në një intervistë për gazetën serbe Danas, Sorensen tha se konfidencialiteti është pjesë normale dhe e domosdoshme e negociatave të ndjeshme diplomatike dhe se ky parim është pjesë e dialogut për normalizim që nga fillimi i tij.
“Konfidencialiteti është një pjesë normale dhe e domosdoshme e negociatave të ndjeshme diplomatike. Ky është një element përbërës i dialogut për normalizim që nga fillimi i tij. U mundëson palëve të eksplorojnë zgjidhje dhe kompromise”, tha Sorensen.
Ai theksoi se, pavarësisht natyrës konfidenciale të bisedimeve, marrëveshjet e arritura përmes dialogut janë publike dhe të dyja palët i kanë të qarta obligimet e tyre.
Sorensen tha gjithashtu se akuzat publike mes palëve nuk i ndihmojnë procesit të normalizimit.
“Fokusi ynë është te zbatimi dhe rezultatet konkrete”, deklaroi ai.













