Në kuadër të muajit Tetori Rozë që i kushtohet kujdesit për shëndetin e gjirit, QKMF e Mitrovicës në bashkëpunim me Kosovamed Healthcare, kanë realizuar një aktivitet ndërgjegjësues, gjatë të cilit qytetarëve iu ofruan këshilla shëndetësore dhe grave iu bë thirrje që të kryejnë kontrollet me kohë.
Gjatë aktivitetit u bë matja e shenjave vitale, duke përcjellë mesazhin se kujdesi për shëndetin fillon me vëmendjen ndaj vetes.
Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, Albina Kastrati Rama, ka bërë të ditur se qytetarët e prekur nga sëmundje të rënda, përfshirë sëmundjet kancerogjene, mund të përfitojnë shërbime profesionale dhe kujdes paliativ, që Komuna e Mitrovicës i ofron falas përmes KosovaMed-it, në mbështetje të pacientëve dhe familjeve të tyre.
“Si Drejtori e Shëndetësisë, mbetemi të përkushtuar në fuqizimin e bashkëpunimit dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kujdesit shëndetësor për qytetarët tanë. Kontrolli është dashuri për veten!”, ka thënë drejtoresha Kastrati Rama.














