Përfaqësuesit e partive politike janë ftuar në takim nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për të diskutuar gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e presidentit dhe procedimin tutje me formimin e institucioneve.
Ftesat, Haxhiu i nisi dje në adresat e partive, duke i ftuar ato të ulën bashkë në Presidencë, të martën në orën 09:00, raporton IndeksOnline.
Deri më tani, ftesës i është përgjigjur pozitivisht partia e Haxhiut.
Në një konfirmim për IndeksOnline, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka thënë se kreu i partisë, Albin Kurti, do të marrë pjesë në takim.
“Po, Lëvizja Vetëvendosje do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga u.d. presidentja Albulena Haxhiu” tha shkurtimisht Manxhuka.
Por, një ftesë të tillë e kanë refuzuar dy parti opozitare.
Në një deklarim publik, Aleanca pohoi se refuzon ftesën e Haxhiut, që, sipas tyre, është “lojë” dhe prandaj refuzon t’u japë alibi.
“Ju nuk jeni presidente e zgjedhur e Kosovës dhe nuk keni mandat të luani rolin e unifikueses së spektrit politik. Ju e Kurti jeni tepër të tejdukshëm se nuk po kërkoni takim për të gjetur zgjidhje. Po kërkoni takim të gjeni fajtor për vendimin tuaj që veçse e keni marrë, për ta dërguar vendin në zgjedhje. Këtë herë edhe në kaos institucional. Qëllimi juaj është më shumë se kaq. Ju doni ta zvarrisni këtë bllokadë deri te data që ju konvenon që të mbahen zgjedhjet” thuhet në përgjigjen publike të Aleancës.
Nga ana tjetër, ftesës i është përgjigjur negativisht edhe Partia Demokratike e Kosovës.
Në një konferencë për media të mbajtur sot, Uran Ismaili pohoi se PDK-ja e sheh këtë ftesë si manipulim, duke i bërë thirrje Avni Deharit që të ftojë sa më parë seancën konstituive.
“E para, kjo është edhe një tentativë, të themi, e manipulimit të zoti Kurti me shtyrjen e afateve, kundrejt afateve të Gjykatës Kushtetuese. Pra, është një manipulim i radhës. Zonja Albulena Haxhiu, më mirë kishte me qenë t’i kishte shkruar letër zotit Avni Deharit, që ta thërrasë Kuvendin, sepse çdo pushtet në Kosovë, çdo funksion në Kosovë, politik, funksionon dhe bazohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Dhe, Kuvendi i Republikës së Kosovës është i suspenduar”, tha ai.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk i është përgjigjur ftesës së Haxhiut – as pozitivisht, as negativisht.
Ende pa u konstituuar Kuvendi dhe pa u formuar institucionet, situata politike është komplikuar nga një ngërç i ri i cili kushtimisht mund të zgjidhet me emërimin e presidentit të ri të Republikës, përbrenda kompetencave kushtetuese dhe ligjore.
LVV-ja pretendon me bindje se pa u zgjedhur një emër jopartiak në krye të Presidencës, nuk është e mundur të procedohet me konstituim të Kuvendit, pasi vendi rrezikon zgjedhje të reja.
Nga ana tjetër, partitë opozitare insistojnë në konstituim dhe formim të institucioneve, pasi sipas tyre, bllokimi i kësaj procedure në këtë pikë, është shkelje e Kushtetutës.













