Ushtria gjermane po vlerëson rreth 30 mjete të inteligjencës artificiale (AI), me qëllim përshpejtimin e marrjes së vendimeve në fushëbetejë.
Shefi i Komandës Kibernetike të ushtrisë gjermane, zëvendësadmirali Thomas Daum, tha për gazetën “Handelsblatt” se është optimist se një prototip mund të jetë gati në tremujorin e dytë të vitit 2027, ndërsa zbatimi i plotë pritet në vitin 2028.
Lufta në Ukrainë ka treguar se dronët dhe satelitët gjenerojnë sasi të mëdha të të dhënave, duke e bërë fushëbetejën gjithnjë e më të “dukshme”. Përpunimi i këtyre të dhënave kërkon teknologji që mund të veprojë më shpejt se sa është e mundur nga njerëzit.
Shumica e mjeteve të IA-së që po shqyrtohen janë prodhuar nga kompani gjermane, me firmën franceze ChapsVision midis bizneseve të pakta të huaja në garë, tha gazeta.
Në prill, Daum kishte përjashtuar për momentin blerjen e sistemit “Maven Smart System”, një nga platformat më të njohura të këtij lloji, të zhvilluar nga kompania amerikane e analizës së të dhënave dhe softuerëve të mbrojtjes, Palantir.
Sistemi Maven i Palantir përdoret nga SHBA-ja, strukturat e NATO-s dhe disa aleatë për analizimin e të dhënave të fushëbetejës, përfshirë imazhe dhe video, me synim përmirësimin e situatës dhe përshpejtimin e vendimmarrjes.
Megjithatë, shqetësimet për varësinë nga SHBA-ja dhe sovranitetin e të dhënave kanë nxitur rezistencë ndaj Palantir në disa vende evropiane. Këto shqetësime janë shtuar në një kohë kur administrata e presidentit Donald Trump është parë si më pak e parashikueshme sa i përket angazhimit amerikan ndaj NATO-s, shkruan Reuters.
*Fotografia në lajm ilustruese













