Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mbërrin sot në Tiranë, ndalesa e parë e turit të saj në Ballkanin Perëndimor. Në fokus të vizitës do të jetë rruga e vendeve të rajonit drejt Bashkimit Evropian dhe hapat e ardhshëm të procesit të zgjerimit. Në Tiranë, Von der Leyen do të takohet me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. Në orën 17:30 është parashikuar edhe një konferencë e përbashkët për shtyp me kreun e qeverisë.
Të enjten, më 1 tetor, presidentja e KE-së do të udhëtojë drejt Prishtinës, ku do të takohet me ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin Albin Kurti. Më pas, po të njëjtën ditë, ajo do të vijojë vizitën në Podgoricë, për takime me presidentin Jakov Milatović dhe kryeministrin Milojko Spajić. Turneu do të përmbyllet të premten në Shkup, me takime me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, dhe kryeministrin Hristijan Mickoski.
Jashtë itinerarit këtë herë mbeten Serbia dhe Bosnje-Hercegovina. Komisioni Evropian ka sqaruar se Von der Leyen synon t’i vizitojë në një moment të mëvonshëm, për shkak të zgjedhjeve të afërta në të dyja vendet.
Vizita zhvillohet në një moment kur Brukseli po punon për të përshpejtuar procesin e zgjerimit. Komisioni po përgatit një udhërrëfyes të posaçëm për Shqipërinë, ndërsa po shqyrton edhe masa të reja për integrimin gradual të vendeve kandidate përpara anëtarësimit të plotë. Për Shqipërinë, dokumenti pritet të përcaktojë reforma prioritare dhe objektiva që lidhen me synimin për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027.














