Futbollisti Ysni Ismaili ka shprehur emocionet e tij pas ftesës së marrë nga Kombëtarja shqiptare për ndeshjet e nëntorit. Mesfushori ka treguar se lajmin e ka mësuar pas përfundimit të stërvitjes me klubin, ndërsa nuk e kishte pritur që të përfshihej në listën e kuqezinjve në këtë fazë.
“Jam shumë i lumtur që mora ftesën dhe shumë krenar që do ta vesh fanellën kuqezi. Të gjithë çunat më kanë pritur shumë mirë, po ashtu edhe stafi. Besoj që do të ecim përpara të gjithë së bashku”, u shpreh Ismaili, shkruan Indeksonline
Futbollisti pranoi se ftesa ishte e papritur, duke qenë se bëhet fjalë për dy ndeshjet e fundit të kësaj faze, por theksoi se kjo e ka bërë edhe më të veçantë përjetimin e tij.
Ismaili pret një atmosferë të bukur në stadiumin “Air Albania” dhe shpreson që Shqipëria ta shoqërojë mbështetjen e tifozëve me rezultat pozitiv ndaj Finlandës.
Megjithatë, në sfidën ndaj finlandezëve ai pritet të jetë në tribuna.













