Eugen Cakolli nga KDI e ka kritikuar KQZ-në, e cila sot ka refuzuar certifikimin e dy subjekteve politike.
Ai ka vlerësuar se arsyet pse është refuzuar certifikimi i këtyre subjekteve politike nuk është i drejt.
Në profilin e tij në Facebook”, ai ka shkruar se ajo që sot ka bërë KQZ-ja është burokraci e shndërruar në censurë.
“KQZ-ja vazhdoi sot me praktikën kundërligjore e të pakuptimtë, të cenimit të së drejtës kushtetuese të subjekteve për pjesëmarrje në zgjedhje – vetëm për shkak të emrit të tyre. Një iniciativë qenka refuzuar sepse emri i saj i ngjante një slogani të LDK-së të vitit 2017 – me insistim të kësaj të fundit. Një tjetër u refuzua për një gabim drejtshkrimor. Kjo është thjesht burokraci e shndërruar në censurë. E drejta për të garuar është themel i demokracisë”, ka shkruar ai, duke shtuar se rregullat duhet të zbathen me barazi.
“Asnjë parti nuk ka monopolin mbi brendet apo kujtimet e fushatave. Për më keq, është e papranueshme të refuzohen subjekte për gabime gjuhësore, thua ti se anëtarët e KQZ-së janë lektorë. Rregullat duhet të zbatohen me barazi, jo sipas tekeve apo interesave të përfaqësuesve partiakë në KQZ”, ka shkruar ai.