Një shtëpi në fshatin Uglar të komunës së Zubin Potokut është përfshirë nga zjarri në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se zjarri ka kapluar një kat të shtëpisë, e cila më herët kishte shërbyer si shtyp-shkronjë, duke shkaktuar dëme materiale.
Fatmirësisht, në këtë ngjarje nuk është raportuar për persona të lënduar.
“Lidhur me rastin, njësitë e Hetimeve Rajonale në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë Veri janë duke e trajtuar çështje, ku në lidhje me këtë është njoftuar edhe eksperti i zjarreve për të përcaktuar shkakun e zjarrit. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është inicuar rasti ‘Shkaktim i rrezikut të përgjegjshëm’”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Nuk është bërë e ditur nëse ka persona të dyshuar apo të arrestuar lidhur me rastin.