Ishte mesi i muajit shtator të vitit të kaluar, kohë kur sapo kishte nisur fushata për zgjedhjet lokale. Zakonisht jemi mësuar të shohim e dëgjojmë që shumica e zyrtarëve komunal lënë punët e tyre për shkak të angazhimeve në njërin prej kampeve politike që garojnë, sidomos drejtorët si persona të emëruar që ndërrojnë fokusin nga punët komunale për t’u angazhuar përkrah kandidatit të partisë së tyre për kryetar komune. Por në Komunën e Mitrovicës dikush kishte tjetër preokupim, fokusin në lëshimin e një leje ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme. Fjala është për ish drejtorin e Drejtorisë së Urbanizmit, Edison Tërnava dhe zyrtarët e kësaj drejtorie, Florent Abrashi e Shyhrete Peci.
Përveç shkejlje ligjore, në këtë procedurë kishte edhe konflikt të pastër interesi në mes të zyrtarit të Urbanizmit, Florent Abrashi dhe kompanisë investuese, London LTD, për shkak se kjo e fundit për këte leje kishte futur në projekt edhe një parcelë toke të Nexhdet Abrashi, babait të Florentit, përmes së cilës thujase ju dyfishua koeficienti i ndërtimit, nga 2.8 në 4.63.
Kronologjia
Muajin e kaluar një banor i lagjjes Ilirida është ankuar në redaksinë e gazetës Veriu.info për një leje ndërtimore që është lëshuar në parcelat e fqinjve të tij, duke pretenduar se nuk është ndjekur rruga ligjore e dhënies së mundësisë për bërje të ankesës nga ana e tij. Fjala është për kompleks banesor të kompanisë London LTD që po ndërtohet në rrugën “Ramadan Peci”, prapa Stacionit të Autobusëve.

Veriu.info më 1 dhjetor 2025 ka kërkuar qasje në dokumente publike në Komunën e Mitrovicës për këtë leje të lëshuar, të cilat dokumentet na u kanë dhënë parcialisht pas disa kërkesave të bëra, ku dokumentet e fundit na u kanë dhënë me datë 12 janar.
Nga analizimi i dokumenteve kemi gjetur se ankesa e qytetarit është plotësisht e drejt, pasi që kemi shkelje flagrate të akteve ligjore që rregullojnë procedurat e dhënies së lejeve ndërtimore.
Shkeljet ligjore
Shkelja e parë ligjore nis qysh në ditën e kërkesës së parë nga Arben Muja në emër të kompanisë “London LTD”. Në dokumentin (shikojen KËTU)e siguruar nga Veriu.info, shihet se pronari i kësaj kompanie më datë 16 shtator 2025 ka bërë kërkesë për Kushte Ndërtimore, përderisa kompaninë e ka hapur me 17 shtator. Pra, Arben Mujës i është pranuar kërkesa pa vulë e pa certifikatë biznesi.




Neni 16 i Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Nr. 06/2017 për Përcaktimin e Procedurave për Përgatitjen dhe Shqyrtimin e Kërkesave për Kushte Ndërtimore, Leje Ndërtimore dhe Leje Rrënimi thotë se organi kompetent (v.j. Drejtoria e Urbanizmit) duhet të vërtetoj nëse kërkesa është e kompletuar, ku në rast se nuk është e kompletuar duhet ta informoj aplikuesin dhe të kërkoj plotësimin e të dhënave. Vetëm pas vërtetimit se kërkesa është e kompletuar vazhdohet në procedurat e mëtejme. (Udhëzimi i PLOTË)
Në këtë rast kërkesa e Arben Mujës në emër të London LTD ka qenë e pakompletuar, edhe për faktin se sipas Udhëzimit Nr. 06/2017 kërkesa për Kushte Ndërtimore duhet të përmbajë listën e dokumenteve të kërkuara që emërtohen si Shtojca 1 e këtij udhëzimi.


Në Shtojcën 1 të Udhëzimit kërkohet që aplikuesi së bashku me kërkesën për Kushte Ndërtimore të ketë edhe këto pëlqime paraprake nga: KEDS, Ujësjellësi Rajonal, Pëlqimin Mjedisor dhe Pëlqimin nga Angjencia për Menaxhimin e Emergjencave. Nga Dokumentet e siguruara shihet se: pëlqimi AME është marrë më 6 tetor, Pëlqimi Mjedisor nga Drejtoria e Mjedisit është marrë më 24 shtator, nga KEDS-i është marrë më 30 shtator, nga Telekomi i Kosovës është marrë më 19 shtator dhe nga KRU “Mitrovica” është marrë më 19 shtator 2025. Pra, gjitha këto pëlqime i ka nxjerrë pas 16 shtatorit, datë kur e ka bërë kërkesën për Kushte Ndërtimore.
Për më tepër në Pëlqimin e lëshuar nga Drejtoria e Mjedisit e Komunës së Mitrovicës shihet se ka pasur një inxhiniering të kamuflimit të dokumenteve, pasi që në arsyetimi i këtij pëlqimi të lëshuar më datë 24 shtator i referohet një ‘kërkesë’ të datës 30 shtator.





Sipas Udhëzimit Administrativ të MMPH nr. 06/2017, Drejtoria e Urbanizmit duhet të dalë në terren dhe të verifikoj gjendjen se a është në përputhje me kërkesën e aplikuesit. Më pas për Kategorinë II të ndërtimeve duhet të vendoset një njoftim publik në parcelën ku planifikohet ndërtimi për qytetarët, i cili duhet të qendroj 15 ditë, në mënyrë që qytetarët të mund t’i japin komentet e tyre. Pas përfundimit të këtij afati, nëse nuk kanë ankesa apo kërkesa të qytetarëve, Drejtoria e Urbanizmit mund të miratoj Kushtet Ndërtimore të aplikuesit.


Këtu ka ndodhur shkelja kryesore e kësaj leje ndërtimore, pasi që në faqen 4 të Vendimit për Caktimin e Kushteve Ndërtimore të datës 2 tetor 2025, të nënshkruar nga drejtori i Urbanizmit, Edison Tërnava dhe zyrtari i kësaj drejtorie, Florent Abrashi, thuhet se njoftimi publik është vendosur më datë 2 tetor 2024 dhe ka qendruar deri më 7 maj 2025. Duke e marrë parasysh faktin se data e përfundimit mund të jetë gabim teknik, i bie që afati 15 ditor i tabelës do të duhej të ishte data 17 tetor. Tek pas kësaj date nëse nuk do të kishte pasur ankesa, do të mund të vazhdohej me procedurën e kërkesës për leje dhe nxjerrjes së vendimit për leje. (Vendimi i PLOTË për caktimin e kushteve ndërtimore)





Mirëpo, siç shihet në dokument, Vendimi për caktimin e Kushteve Ndërtimore është nxjerrë pikërisht në datën e vendosjes së njoftimit publik, duke ua mohuar qytetarëve që banojnë në atë zonë ankesat eventuale dhe duke shkelur në mënyrë flagrante aktet ligjore. Për më tepër, leja ndërtimore nga Drejtoria e Urbanizmit për London LTD është lëshuar më 8 tetor 2025, vetëm katër ditë para rundit të parë të zgjedhjeve lokale.
Veriu.info ka siguruar edhe kërkesën për Leje Ndërtimore nga London LTD e cila është bërë më 30 shtator (para kohe) dhe pranimi i saj nga zyrtarja e Urbanizmit, Shyhrete Peci, ka qenë i kundërligjshëm. (Kërkesa e PLOTË)


Sipas Udhëzimit Administrativ të MMPH nr. 06/2017, kërkesa për Leje Ndërtimore bëhet pas vendimit për caktimin e Kushteve Ndërtimore. Në këtë rast kushtet ndërtimore janë lëshuar më datë 2 tetor, ndërsa kërkesa për Leje Ndërtimore është bërë dhe pranuar nga Drejtoria e Urbanizmit më datë 30 shtator.
Pse i shkelën afatet procedurale Drejtoria e Urbanizmit dhe London LTD?
Sipas nenit 18 të Ligjit për Ndërtim, lejet më Kushte Ndërtimore lëshohen kur nuk ekziston plani rregullativ urban në një qytet. (Ligji i PLOTË)
E gjithë kjo katrahurë me dokumente nga Drejtoria e Urbanizmit dhe London LTD ka ndodhur me qëllim të lëshimit të kësaj leje ndërtimore para hyrjes në fuqi të Hartës Zonale të Mitrovicës, e cila rregullon saktë me çfarë koeficenti mund të ndërtohet në secilën zonë. Me Hartën Zonale të Komunës së Mitrovicës së Jugut 2025-2033, koeficenti maksimal i ndërtimit në qytet është 3.
Veriu.info ka dërguar pyetje në Komunën e Mitrovicës për të marrë përgjigje se a ka hyrë Harta Zonale në fuqi, sa është koeficienti maksimal i ndërtimit në Mitrovicë me këtë hartë, se sa është koeficienti i ndërtimit me hartën e re në rrugën “Ramadan Peci”, aty ku është dhënë leja ndërtimore për London LTD.
Në përgjigjen e Udhëheqësit të sektorit të Planifikimit në Drejtorin e Urbanizmit të Komunës së Mitrovicës, Nexhmi Hasani, bëhet e ditur se Harta Zonale është miratuar më 11 shtator 2025 dhe e njëjta ka hyrë në fuqi më 24 tetor 2025.
“Harta Zonala Komunale është miratuar nga Kuvendi Komunal Mitrovicë, me Vendim Nr. 02-060/01-0054399-3/25, i dt. 11.09.2025. Harta Zonale Komunale ka hyrë në fuçi 7 ditë pas publikimit të dokumentit ne Ëeb Faqe të Komunës së Mitrovicës, publikim në Ëeb Faqe është bërë me dt. 17.10.205”, ka thënë Hasani.
Tutje, ai ka treguar se koeficienti maksimal në Mitrovicë me këtë hartë është 3.
“Sipas HZK-së , lokacioni prapa stacionit të autobusave në Mitrovicë, ka koeficient të ndërtimit prejë 2.1 deri në 2.8, në varësi të tipologjisë së objektit. Sipas HZK –së, koeficienti më i lartë i ndërtimit në zonën urbane në Mitrovicë, është 3.0, pa bonus të zonimit”, thuhet në përgjigjen e Nexhmi Hasani, udhëheqës i sektorit të Planifikimit në Drejtorin e Urbanizmit të Komunës së Mitrovicës.
Ndërkaq, leja ndërtimore e nënshkruar nga Edison Tërnava dhe Shyhrete Peci i mundëson Arben Mujës (London LTD) ndërtimin e këtij kompeklsi banesor me koeficient 4.63, pasi që për 16.93 ari tokë (1652 m2 + 41.00 m2) i është mundësuar ndërtimi i objektit banesor-afarist prej 8 mijë 679 m2 (minus 825.88 mm2 bodrum).




Hyrja në fuqi e Hartës Zonale dhe pamundësimi i lejeve me kushte ndërtimore
Më 28 prill 2025 Kuvendi Komunal i Mitrovicës së jugut kishte marrë vendim për miratimin e Hartës Zonale, vendim i cili ishte rikthyer për përmirësim nga MAPL. Përfundimisht Kuvendi Komunal i Mitrovicës miraton Hartën Zonal me plotësim-ndryshime, dokument i cili hartohet më 11 shtator dhe dërgohet në MAPL për vlerësim të ligjshmërisë, proces që i paraprinë hyrjes në fuqi. Më 14 tetor MAPL kishte konfirmuar ligjshmërinë e vendimit të Kuvendit Komunal për miratimin e Hartës Zonale, përderisa komuna ne faqe zyrtare e kishte shpallur vendimin me 17 tetor.


Duke qenë se tabela informuese te parcela ishte publikuar më 2 tetor dhe nëse e njëjta do të qendronte për 15 ditë, siç është obligim ligjor, do të arrinte data 17 tetor dhe kjo leje ndërtimore nuk do të kishte kohë të miratohej me kushte, pasi që hyrja në fuqi e Hartës Zonale nënkupton se për atë zonë do të kishte plan rregullues dhe kur ka plan rregullues nuk mund të jepet leja ndërtimore me kushte. Pra, hyrja në fuqi e Hartës Zonale do të pamundësonte lëshimin e lejes me Kushte Ndërtimore për London LTD.
Duke qenë në presion të afateve kohore të kthimit të përgjigje nga MAPL dhe zgjedhjeve të 12 tetorit që mund të kryeheshin pa balotazh, pronari i kësaj kompanie ndërtimore së bashku më drejtorin e Urbanizmit, Edison Tërnava dhe zyrtarët Florent Abrashi e Shyhrete shkelën afatet ligjore procedurale, duke i mundësuar të marrë leje ndërtimore me datë 8 tetor.
Konflikti i Interesit i zyrtarit të urbanizmit Florent Abrashi
Leja ndërtimore me kushte iu ka lëshuar kompanisë ndërtimore London LTD me koeficient 4.63, me arsyetimin se njëra prej parcelave mundëson hapjen e rrugës “Ali Zeneli”.
Për të mundësuar koeficientin e ndërtimin 4.63 në rrugën “Ramadan Peci” në lagjjen Ilirida në emër të hapjes së rrugës “Ali Zeneli”, është bashkuar një parcelë simbolike prej 41 metër katror (0.41 ari) kësaj të fundit me parcelën kryesor. Pra, gati dyfishimi i metrave katror që do të ndërtohen është mundësuar përmes një parcele prej 41 m2 (0.41 ari).
Posedues i kësaj parcele prej 0.41 ari me numër kadastral 2910-94 ka qenë Nexhdet Abrashi, i cli me kontratë të shit-blerjes më datë 26 shtator 2025 e ka kaluar në emër të London LTD. Këtë për Veriu.info e ka konfirmuar Hasime Barku, udhëheqëse në sektorin e Kadastrit.

Veriu.info mëson se Nexhdet Abrashi është babai i Florent Abrashit, zyrtarit të Drejtorisë së Urbanizmit, i cili ka nënshkruar në shumë prej dokumenteve që kanë të bëjnë me këtë leje ndërtimore me kushte, përfshirë: Vendimin për Caktimin e Kushteve Ndërtimore, Pozicionimin e Ndërtesës (situacionin) dhe Shqyrtimin e Aplikacionit për Leje Ndërtimore.
Tri herë Veriu.info i ka dërguar pyetje Florent Abrashit se parcela 2910-94 a ka qenë e familjes së tij, më konkretisht e babait të tij, por ai në dy raste nuk është përgjigjur konkrejt, përderisa në pyetjet e dërguar për herë të tretë nuk është përgjigjur fare.
Arben Muja në emër të kompanisë ndërtimore London LTD më datë 16 shtator kishte bërë kërkesë për kushte ndërtimore, por kushtet ndërtimore ishin caktuar me vendim të drejtorit Edison Tërnava dhe zyrtarit urbanist Florent Abrashi më 02 tetor, 6 ditë pas nënshkrimit të kontratës mes babait të Florent Abrashit me London LTD.


Se gjithçka ka qenë një skenar i përgatitur, kuptohet edhe nga kërkesa për caktimin e kushteve e bërë më 16 shtator, ku Arben Muja nuk kishte bërë kërkesë që parcela në rrugën “Ali Zeneli” e babait të Florent Abrashit të jetë pjesë e projektit të lejes ndërtimore. Mirëpo, pas disa ditësh çuditërisht me rastin e lëshimit të vendimit për Kushtet Ndërtimore, parcela 2910-94 e Nexhdet Abrashi është bërë pjesë përbërse e këtij dokumenti që i parapriu lejes ndërtimore.


Mbi 1 milion euro përfitim shtesë nga ky ‘trik’ me leje të kundërligjshme?
Sikur leja do të lëshohej me Hartën Zonale të cilën Komuna e kishte shpallur më 17 tetor dhe ka hyrë në fuqi pas shtatë (7) ditësh, edhe nëse do të përdorej koeficienti maksimal i ndërtimit prej 2.8 që është në rrugën “Ramadan Peci” 3, atëherë me 1695 m2 (16.95 ari) do të mund të merrej leja për ndërtimit e objektit banesor prej 4746 m2.

Mirëpo, duke qenë se u shkelën procedurat për t’u lëshuar leja para miratimit të Hartës Zonale, Drejtoria e Urbanizmit i ka lëshuar kompanisë London LTD leje ndërtimore për 7853 m2 (+825 bodrum), që nënkupton se me këtë leje kompania ndërtuese ka përfituar 3107 m2 ndërtim ekstra. Përkthyer në vlerë monetare nëse marrim për bazë se mesatarisht në lagjjen Ilirida 1 m2 banesë shitet 800 euro, atëherë del se këto metra ekstra të ndërtimit kanë vlerë 2 milionë e 485 mijë e 600 euro. Kur kemi për bazë se vlera mesatare e ndërtimit të një objekti banesor është 400 euro, si dhe faktin se rreth 11% e metrave të ndërtimit janë korridore e hapësira tjera të përbashkëta atëherë del se përfitimi i përafërt neto nga kompania ndërtuese është rreth 1 milion e 100 mijë euro.
Hartimi i projektit me ‘shpejtësi të dritës’
Kur një aplikuesi për leje ndërtimore me kushte të i caktohen kushtet me vendim nga Drejtoria e Urbanizmit, ai pastaj nis hartimin e projektit, sepse në vetëvete ky është qëllimi i kushteve ndërtimore.
Veriu.info ka kontraktuar me profesionist të fushës, ku kemi marrë informacionin se për një hartim të një projekti banesor-afarist me të cilin aplikohet pastaj për leje ndërtimore, duhet disa muaj kohë, pasi që aty marrin pjesë artkitektë të licencuar, inxhinierë të ndërtimtarisë, inxhinierë të instalimeve, etj.
Por siç shihet në rastin konkrekt, gjithçka ka qenë një skenar i përgatitur që pa pasur nevojë të pritet, të merret leja ndërtimore.
Kush qendron prapa London LTD?
Sipas regjistrit të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, pronarë të kompanisë London LTD me nga 50% të aksioneve janë Besim Seferi dhe Arben Muja, ky i fundit është edhe person i autorizuar.
Kompania është themeluar me kapital prej 40 mijë euro, përderisa adresa e saj është në rrugën “Hoxhë Kadri Prishtina, 1” në Mitrovicë dhe funksionin si Shoqëri me përgjegjësi të kufizuara.
Gazeta Online Veriu.info ka dërguar pyetje lidhur me këtë çështje në adresë të kompanisë London LTD, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk kanë kthyer përgjigje.











