Projekti banesor i kompanisë “Tregtia” në lagjen Kodrina kishte shkaktuar përplasje politike mes ish kryetarit Shpend Ahmeti dhe PDK-së në vitin 2017, ku kryetari i komunës që asokohe ishte në VV akuzohej për favorizim të kësaj kompanie ndërtimi, me pretendimin se ia kishte rritur koeficientin ndërtimor për 65%.
Mirëpo, kur jemi 9 vite pas nisjes së projektit, banesorëve të kompleksit në lagjen Kodrina akoma nuk u janë dorëzuar çelësat nga kompania ndërtuese “Tregtia” të cilën po e akuzojnë për mashtrim.
Veriu.info ka pranuar një denoncim nga një blerës i një banese në bllokun R5 në lagjen Kodrina, i cili thotë se është mashtruar nga kompania “Tregtia” për shkak të mos kryerjes së punëve brenda afatit.
“Jemi duke u përballur me vonesa të stërzgjatura nga ndërtuesi “Tregtia”, duke manipuluar me datën për marrjen e çelësave të banesave që i kemi ble. Banesat kanë pas me u kry në muajin dhjetor 2025, por që nuk janë kryer. Më pas na është thënë në qershor 2026, por ndërtimi as afër nuk është. Në kontratën te noteri “Tregtia” pas afatit është e obliguar me na e pagu qiranë, por kurrë kerkujt nuk ia ka pagu, sepse shantazhon me banesën duke na kërcënuar se me kërku pagesën e qirasë mundemi mos me marrë banesën hiq. Jemi në obligime të mëdha financiare, punimet nuk janë as afër të përfundohen, kompania i ka zvarrit punimet. Mijëra banorë po presin me hyjnë në banesat e tyre”, thuhet në denoncimin anonim të dërguar në Veriu.info, e i cili është dërguar po ashtu edhe në media tjera.
Denoncuesi ka bërë të ditur se ai ka blerë banesë në bllokun R4 të kompanisë “Tregtia” në lagjen Kodrina.
Se diçka fshehet në lidhje data e kompletimit të projektit mund të kuptohet nga ueb faqja e kompanisë, ku te kategoria e lagjes Kodrina, ekziston mbishkrimi “Data e kompletimit: Projekti ndahet në diza faza të ndërtimit“, po që tekst sqarues nuk ka datë të kompetimit të projektit.
Veriu.info ka tentuar të marrë një qëndrim nga “Tregtia” për këtë denoncim, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka pranuar përgjigje për pyetjet e dërguara në e-mail dhe whatsapp.














