Kombëtarja e Kosovës U19 ka nisur grumbullimin e radhës treditor në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Evropian.
Ky kamp shërben si një mundësi për seleksionim dhe vlerësim të futbollistëve para sfidave të nëntorit në Gllasgou të Skocisë, ku Kosova do të garojë në Grupin A2 përballë Belgjikës, Skocisë dhe Kazakistanit më 11, 14 dhe 17 nëntor.
Përzgjedhësi i U19-shit, Albert Bunjaku, ka bërë të ditur se fokusi kryesor i këtij grumbullimi është vëzhgimi i lojtarëve nga liga vendore, por pa përjashtuar edhe futbollistët që aktivizohen jashtë vendit.
“Është një grumbullim seleksionues me lojtarë vendorë. Kemi pasur pesë lojtarë vendorë në formacionin startues në kualifikimet në Turqi, prandaj duam t’u japim mundësi edhe të tjerëve. Kualiteti është i lartë dhe po kërkojmë profile që mund të na ndihmojnë në kualifikimet e vështira që na presin në Skoci”, ka thënë Bunjaku.
Atmosfera në kamp është pozitive edhe te futbollistët. Unejs Mustafa, i cili për herë të parë është grumbulluar me gjeneratën U19, është shprehur i kënaqur me ambientin në ekip, shkruan FFK.
“Grupi po duket shumë i mirë, atmosfera është pozitive dhe jemi ambientuar shpejt me ekipin dhe stafin. Do të japim maksimumin që të jemi pjesë e grupit përfundimtar për ndeshjet e nëntorit”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, Bleron Mustafa është rikthyer në Kombëtare pas një pauze prej një viti e gjysmë për shkak të lëndimit.
“Është një ndjenjë shumë e mirë që jam rikthyer te Kombëtarja. Jam krenar për këtë mundësi dhe synimi i çdo lojtari është që një ditë të arrijë te Kombëtarja A”, ka thënë Mustafa.
Kosova U19 do të vazhdojë përgatitjet në Kampin Nacional në Hajvali, ku Bunjaku së bashku me stafin e tij, Besim Ademin, Anel Rashkajn dhe Labinot Qosën, do të vlerësojnë paraqitjet e futbollistëve të grumbulluar.














