Gianni Infantino ka një plan për ta forcuar pozitën e tij përpara zgjedhjeve të ardhshme në FIFA, sipas një raportimi të publikuar të mërkurën.
Mbështetja për zviceranin është zbehur në disa vende, ndërsa kritikat ndaj tij arritën kulmin pas Botërorit të fundit.
Sipas raportimit të “The Athletic”, FIFA do të propozojë një paketë financiare me vlerë mbi 6 miliardë dollarë për zhvillimin e futbollit në mbarë botën gjatë periudhës 2027-2030.
Pagesat për secilën federatë anëtare pritet të rriten në 25 milionë dollarë për katër vjet, nga 10 milionë dollarët që ishin planifikuar fillimisht. Ndërkohë, secila prej gjashtë konfederatave do të përfitojë 99 milionë dollarë.
Për financimin e kësaj pakete do të nevojitet përdorimi i rezervave financiare. Nën drejtimin e Infantinos, FIFA do të tërheqë prej tyre mbi 3.5 miliardë dollarë, e ndihmuar mbi të gjitha nga të ardhurat e jashtëzakonshme komerciale të Botërorit 2026, të cilat vlerësohen në rreth 15 miliardë dollarë.
Në sfond qëndrojnë tensionet lidhur me mënyrën se si drejtohet FIFA.
Organi qeverisës i futbollit botëror e braktisi projektin “FIFA Forward Enterprise”, i cili synonte t’u hapte investitorëve të sektorit privat, të afërt me presidentin amerikan Donald Trump, 20 për qind të aktiviteteve komerciale dhe ngjarjeve të organizuara prej saj.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, dhe presidenti i CONCACAF-it, Victor Montagliani, i kanë kërkuar Infantinos të japë dorëheqjen, duke kërkuar gjithashtu që rezervat financiare të rishpërndahen te federatat anëtare.
Ndërkohë, Infantino synon një mandat të tretë radhazi, në zgjedhjet që do të mbahen në Marok në mars të vitit 2027.
Madje, ai mund të kandidojë pa kundërshtarë, pasi deri më tani askush nuk ka shpallur kandidaturën kundër tij, ndërsa afati për dorëzimin e nominimeve përfundon më 18 nëntor./GazetaExpress/














