Veprimtaria e shumë prej institucioneve private shëndetësore në Kosovë është kthyer në sfidë për shtetin, pasi që ato po operojnë vazhdimisht në mënyrë të kundërligjshme me shërbime të palicencuara dhe staf ilegal (të palicencuar), gjë që paraqet edhe rrezik për shëndetin dhe jetën e pacientëve.
Veriu.info ka siguruar një raport inspektimi të Inspektoratit Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë, në të cilin evidentohen të gjeturat (shkeljet) në ambulancën specialistike të urologjisë “Uromedica” në Prishtinë.
Inspektorët në raport kanë konstatuar se në hyrje të “Uromedica” ishte vendosur pllakati ‘Poliklinikë’, përderisa në Divizionin për Licencim dhe Akreditim të Ministrisë së Shëndetësisë ky institucion privat shëndetësor është licencuar vetëm si Ambulancë Specialistike e Urologjisë. Pra, ky është një mashtrim klasik për pacientët në kuptim të licencës që e ka “Uromedica”.
Si shkelje tjetër, inspektorët kanë konstatuar se në “Uromedica” ofrohej shërbimi ESWL, shërbim i cili nuk ishte i lajmëruar e as licencuar nga Divizioni për Licencim dhe Akreditim i Ministrisë së Shëndetësisë.
ESWL në shqip do të thotë ‘Litotripsia me valë goditëse jashtëtrupore’, por në praktikë është e njohur si “thyerja e gurëve me valë/ultratinguj”. ESWL është një procedurë mjekësore joinazive (pa ndërhyrje kirurgjikale apo prerje) që përdoret për të thyer gurët në veshka dhe në rrugët urinare.
Para inspektorëve shëndetësorë, Dr. Tomë Komani, themelues dhe pronar i “Uromedica”, ka deklaruar se në këtë ambulancë urologjike shërbimi ESWL ofrohet që prej licencimit të këtij institucioni privat shëndetësor. Në shkresat e lëndës, Veriu.info ka gjetur se “Uromedica” për herë të fundit licencën e ka ripërtërirë në vitin 2022. Pra, kjo ambulancë me vite ka ofruar këtë shërbim të ndjeshëm shëndetësor në mënyrë ilegale.
Në fund të inspektimit, Inspektorati Shëndetësor ka marrë vendim për ndalimin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore të palajmëruara dhe të palicencuara në “Uromedica”, që nënkupton se i është ndaluar ofrimi i shërbimit të thyerjes së gurëve me valë/ultratinguj (ESWL).
Përveç ndalimit të ofrimit të këtij shërbimi shëndetësor, inspektorët shëndetësorë i kanë shqiptuar edhe një gjobë ambulancës “Uromedica” të Tomë Komanit.
Veriu.info ka marrë edhe qëndrimin e “Uromedica” të Tomë Komanit për këtë inspektim dhe gjetjet e konstatuara nga inspektorët shëndetësorë, i cili ka pranuar gjetjet e evidentuara.
“E gjitha që është gjetur ka qenë e saktë. Dënimin e kom paguar siç më është rekomanduar. Përmirësimet e kërkuara i kam kryer dhe e kam informuar Inspektoratin Shëndetësor. Ka qenë gabim teknik pse nuk ka figuruar ESWL, pasi që posedoj dokumentin për kërkesën për ESWL. E kam plotësuar edhe një herë dhe e kam dërguar Bordit për Licencim. Shërbime tjera nuk kam kryer, vetëm ESWL”, thuhet në përgjigjen e “Uromedica” të Tomë Komanit për Veriu.info.
Ndryshe, në Agjencinë për Regjistirmin e Bizneseve “Uromedica” figuron si poliklinikë te pjesa e emrit tregtar me adresë në Gjakovë, pro që ka edhe një njësi biznesore në Prishtinë. “Uromedica” është biznes individual në pronësi të Tomë Komani. Agjent i regjistruar i “Uromedica” në ARBK është Pleurat Komani.
Më poshtë raportimin e inspektimit dhe pamje ekskluzive nga momenti i inspektimit:






LEXONI EDHE:















