Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka nisur të japë premtime për punët që do t’i kryente po që se bëhet kryeministër.
Në inaugurimin e një pjese të Rrugës A të mërkurën, Rama në një deklaratë për mediat ka thënë se “si kryeministër synon që Kosova të jetë si Singapori”.
Ai ka kritikuar Qeverinë Kurti se e ka bllokuar dhe sabotuar në punën e deritashme.
“Do të ishte më e lehtë nëse s’do të na bllokonin e sabotonin. E me na ndihmu paramendojeni se çka do të bënim. Do të bënim vend fenomenal. Vetëm duhet një qeveri bashkëpunuese e jo sabotuese. Si kryeministër, synojmë që Kosova të jetë si Singapori apo si vendet e zhvilluara sepse kemi rini të mrekullueshme, potencial të mrekullueshëm të zhvillimit. Mundemi ta bëjmë, vetëm duhet mendësi zhvillimi e jo që të merremi me të kaluarën e t’ia lëmë fajin tjetërkujt. Për kryeministër, çka them e bëj”, ka deklaruar ai.
Rama në vazhdimësi ka akuzuar Qeverinë për pengesa.
E në tetor ai pati thënë se mision të radhës e ka të bëhet kryeministër.
Rama është kryetar i Prishtinës për mandatin e dytë. Ai ka fituar nën siglën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por në shumë raste ka thënë se nuk ka librezën e partisë. Megjithatë pasi e bëri të ditur qëllimin për postin e kryeministër tha se do të kandidojë edhe për kryetar të kësaj partie.















