Ai ka thënë se kjo nuk nënkupton “një republikë të re” por një republikë “të rinuar e të përtrirë”, e cila frymon sipas idealeve përparimtare të rilindasve shqiptarë
“E kemi thënë disa herë që Kosova ka nevojë për një republikë të tretë, por jo si një republikë e shpallur në Kuvendin e saj prej 120 deputetë, pra jo si një republikë e re por si një republikë e rinuar, si një republikë e përtrirë, e cila frymon sipas idealeve përparimtare të rilindasve shqiptarë; që zemrën dhe mendjen i ka te demokracia dhe përparimi, sikurse edhe synimet gjeopolitike që i ka të drejtuara kah integrimet euro-atlantike, në rrugën e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO”- ka thënë Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, ku edhe është votuar si kandidat për kryeministër.
Sipas Kurtit, LVV ka qenë dhe mbetet subjekti politik me referencat më të qarta historike: nga Rilindja Kombëtare Shqiptare e qendërzuar te mendimi i Sami Frashërit, te beteja anti-kolonialiste e popujve për liri e pavarësi botës mbarë, te rezistenca e të burgosurve politikë e identifikuar me Adem Demaçin dhe deri te lufta çlirimtare dhe sakrifica për liri e kryekomandantit Adem Jasharit dhe e UÇK-së.
Lideri i LVV-së ka folur edhe herëve tjera për “republikën e tretë”.
Në një rast, në vitin 2018, duke folur për Deklaratën e 2 Korrikut, ai pati thënë se: ”Kjo na obligon të çojmë përpara projektin tonë për Republikën e Tretë, ku liria më në fund do të bashkohet me demokracinë, vetëvendosjen, zhvillimin e drejtësinë”
Kurti fjalimin e ka vazhduar me sipas tij, disa nga zotimet kryesore dhe programet e reja të qeverisë të ardhshme për mandatin e ardhshëm.
Ai ka thënë se gjatë mandatit të ardhshëm paga minimale do të rritet mbi 500 euro.
Paga minimale njëjtë nuk do të tatohet.












