Jose Mourinho ka marrë përsipër fajin për humbjen e Real Madridit, por pas ndeshjes nuk i kurseu kritikat ndaj gjyqtarit, i cili sipas tij ka një histori me ndëshkimin e yjeve të “Los Blancos”.
Trajneri portugez tha se mediat tani kanë temë për të folur deri të mërkurën, por i kërkoi që të fokusohen te humbja dhe analiza, jo te spekulimet për lojtarët.
“Tani keni historinë tuaj. Real Madridi humbi. Mos shpikni histori për Vinin, për Ardën. Keni diçka për të folur deri të mërkurën, flisni për këtë, humbjen, analizën. Përgjegjësia është e imja”, u shpreh Mourinho.
Ai foli edhe për penaltinë, duke e quajtur të diskutueshme, por tha se i beson Bellinghamit, i cili i ka thënë se ishte penallti. “Penaltia është e dyshimtë, por Bellingham më tha se ishte penalti, kështu që do ta besoj atë”, deklaroi ai.
Më pas, Mourinho u përqendrua te gjyqtari, duke vënë në dukje se i njëjti arbitër ka përjashtuar edhe lojtarë të tjerë të Real Madridit në sezonet e fundit.
“Ky gjyqtar e do t’u tregojë të gjithëve se ai është shefi. Fillimisht Mbappé-n, pastaj Vinin, tani Bellinghamin. Ndoshta sezonin tjetër do t’i japë karton të kuq Courtois-it”, tha ai me ironi.
Trajneri u ndal edhe te paraqitja e Vinicius Jr, duke thënë se ajo ishte e njëjtë me të lojtarëve të tjerë dhe se nuk ka nevojë për histori të shpikura.
“Nuk mendoj se ndonjë lojtar ishte më i mirë se të tjerët. Trajneri është përgjegjës”, përfundoi Mourinho./IndeksOnline/














