Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Përplasja me aleatët për Specialen, çfarë thonë Daniel Serwer e Lulzim Peci

15/10/2026 - 19:58
në Kryesore, Lajme
A A
Përplasja me aleatët për Specialen, çfarë thonë Daniel Serwer e Lulzim Peci
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale hapën një tjetër front mosmarrëveshjesh mes politikës kosovare dhe aleatëve perëndimorë.

Këtë herë, përplasjet nuk kufizohen te Qeveria e Albin Kurtit.

Partia Demokratike e Kosovës, e cila për vite e kritikoi kryeministrin për tensionet me partnerët ndërkombëtarë, tani kundërshton publikisht qëndrimet e diplomatëve perëndimorë dhe vlerësimin e Bashkimit Evropian se ndryshimet ligjore bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Analistët dallojnë në vlerësimet nëse politika kosovare po bëhet më e gatshme t’i kundërshtojë qëndrimet e aleatëve perëndimorë.

Daniel Serwer, nga Universiteti Johns Hopkins në Uashington, sheh një prirje të tillë, të cilën e lidh me përpjekjet në rritje për të afirmuar sovranitetin e Kosovës.

“Po, mendoj se kjo po bëhet politikisht më e pranueshme, e nxitur nga një interesim gjithnjë e më i madh për të pohuar sovranitetin”, thotë Serwer për Radion Evropa e Lirë.

Ai i sheh mosmarrëveshjet për Gjykatën Speciale në një kontekst më të gjerë, ku përfshin edhe përplasjet e mëhershme të Qeverisë Kurti me aleatët lidhur me veriun e Kosovës.

“Sipas mendimit tim, PDK-ja ka arsye të mira për ta sfiduar Gjykatën Speciale. Nuk është e habitshme që po e bën këtë – së bashku me Vetëvendosjen”, thotë ai.

Por, Lulzim Peci, drejtor i Institutit për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), nuk i sheh kundërshtimet publike të përfaqësuesve të PDK-së si dëshmi të ndryshimit të orientimit të politikës së jashtme të Kosovës.

Sipas tij, përgjegjësinë për këtë politikë e ka Qeveria, ndërsa deklaratat e një partie opozitare nuk përbëjnë qëndrim zyrtar të shtetit.

“Derisa Qeveria nuk merr hapa konkretë për zbatimin e ligjit, situata do të mbetet në pikën e përplasjes verbale. Në momentin kur Qeveria ndërmerr veprime për zbatimin e ligjit, ky do të jetë një hap drejt përplasjes”, thotë Peci për Radion Evropa e Lirë.

Çfarë i nxiti mosmarrëveshjet e reja?
Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara në Hagë – të njohura si Gjykata Speciale – shpallën fajtorë për krime lufte Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, duke i dënuar me burgim nga 13 deri në 25 vjet.

Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.

Shtetet e Bashkuara kërkuan respektimin e tij dhe shmangien e retorikës nxitëse, ndërsa Bashkimi Evropian bëri thirrje për respektimin e pavarësisë së gjykatës.

Kryeministri Kurti e cilësoi aktgjykimin si “padrejtësi të papranueshme”, por reagimet më të drejtpërdrejta ndaj diplomatëve perëndimorë erdhën nga PDK-ja, e cila ishte në pushtet kur u krijuan kushtet për themelimin e gjykatës në vitin 2015.

Kryetari i saj, Bedri Hamza, u kërkoi ambasadorëve të vendeve aleate të kontribuojnë në, siç tha ai, pasqyrimin e drejtë të situatës.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, shkoi më tej, duke kritikuar direkt ambasadorin britanik, Jonathan Hargreaves, pasi ai theksoi se dënimet në Hagë lidhen me përgjegjësinë penale individuale.

“Mos na qitni hi syve”, shkroi Çitaku në rrjetet sociale, duke pretenduar se UÇK-ja ishte cilësuar si ndërmarrje e përbashkët kriminale dhe se aktgjykimi nuk mund të reduktohej në përgjegjësinë e katër individëve.

Trupi gjykues konstatoi pjesëmarrjen e katër të akuzuarve në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, por theksoi se procesi nuk kishte të bënte me legjitimitetin e UÇK-së apo synimin e saj për pavarësinë e Kosovës.

Përplasjet u thelluan pas 6 tetorit, kur Kuvendi miratoi ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të iniciuara nga PDK-ja.

Ndryshimet parashohin, ndër të tjera, kufizimin e juridiksionit të gjykatës, dënim maksimal prej 15 vjetësh burgim dhe mundësinë e vuajtjes së dënimeve në Kosovë.

Bashkimi Evropian deklaroi se ligji bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe kërkoi respektimin e mandatit dhe pavarësisë së gjykatës, si dhe garantimin e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre.

Por, deputeti i PDK-së dhe iniciuesi i ndryshimeve, Përparim Gruda, e kundërshtoi këtë vlerësim.

“Jemi të bindur që ky ligj nuk e shkel asnjë obligim që Kosova e ka marrë dhe jemi ballëhapur para bashkësisë ndërkombëtare”, deklaroi ai më 7 tetor.

Çitaku tha se “është normale” që me aleatët të ketë mospajtime.

“Është shumë e rëndësishme të diskutojmë”, tha ajo.

Nga përplasjet për veriun te Gjykata Speciale
Mospajtimet me aleatët perëndimorë, që luajtën rol vendimtar në çlirimin e Kosovës dhe mbështetën shtetndërtimin e saj, nuk janë të reja për Qeverinë Kurti.

Në vitet e fundit, ato u përqendruan kryesisht te veprimet e institucioneve të Kosovës në veriun me shumicë serbe – përfshirë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale në vitin 2023 dhe mbylljen e institucioneve të mbështetura nga Serbia.

Qeveria i arsyetoi këto veprime me ushtrimin e sovranitetit dhe shtrirjen e sundimit të ligjit, ndërsa partnerët perëndimorë kritikuan mungesën e koordinimit dhe rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve.

Vetë Kurti këmbëngulte se marrëdhëniet me aleatë nuk nënkuptojnë pajtim për çdo çështje.

Por, mosmarrëveshjet shkuan përtej shkëmbimit të deklaratave, duke sjellë edhe pasoja diplomatike.

Në vitin 2023, Bashkimi Evropian vendosi masa ndaj Kosovës, duke pezulluar vizitat e nivelit të lartë dhe pjesë të bashkëpunimit financiar.

Vitin e kaluar, SHBA-ja pezulloi nisjen e Dialogut Strategjik me Kosovën.

PDK-ja ishte ndër partitë që kritikuan zëshëm Qeverinë Kurti për, siç thuhej, dëmtimin e marrëdhënieve me aleatët.

Mes kundërshtimit dhe ruajtjes së raporteve me aleatët
Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, zëvendëskryetar i parë i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, thotë se reagimet e fundit të partisë së tij duhet të mirëkuptohen.

Ai kujton se partnerët perëndimorë kishin mbështetur themelimin e Dhomave të Specializuara më 2015 dhe, sipas tij, duhet të tregojnë mirëkuptim edhe për ndryshimet e tanishme në ligj.

“Nëse atëherë është mbështetur dhe përkrahur, do të duhej edhe tash të ketë përkrahje dhe mbështetje”, thotë Reçica për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, ai thekson rëndësinë e ruajtjes së komunikimit të kujdesshëm dhe institucional me partnerët ndërkombëtarë.

“Ne, si çdoherë, rreth situatave që kanë qenë po aq të komplikuara, mbase edhe më të komplikuara, e kemi ruajtur gjakftohtësinë dhe komunikimin. Do të duhej të rikthehemi pikërisht tek ajo formë dhe mënyrë e komunikimit”, thotë ai.

Lutfi Haziri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se përplasjet e viteve të fundit tani po marrin një dimension tjetër, me përfshirjen e PDK-së.

“Dhomat e Specializuara e kanë nxjerrë në sipërfaqe këtë raport edhe me PDK-në. Pak a shumë është zgjerim i këtyre raporteve të kushtëzuara”, thotë Haziri për Radion Evropa e Lirë.

Ai paralajmëron se vazhdimi i përplasjeve mund të nxisë kërkesa të tjera politike, deri te zhbërja e Dhomave të Specializuara.

Sipas tij, Kosova duhet të shmangë përplasjet verbale dhe të rikthejë mirëbesimin me aleatët, ndërsa edhe BE-ja t’i trajtojë shqetësimet për funksionimin e gjykatës.

Për deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, përplasjet e tanishme janë pasojë e vendimeve të vitit 2015, kur partia e saj kishte kundërshtuar themelimin e Dhomave të Specializuara.

“Atëherë ne e kemi përballuar presionin. Edhe tash e përballojmë. Tash, le ta bëjë luftën PDK-ja. Le t’i bëjnë ballë presionit institucionet shtetërore”, thotë Kadrijaj.

A mund të ketë pasoja për Kosovën?
Të mërkurën, më 15 tetor, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ia përcolli presidentes Justina Shiroka Pula për dekretim ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Presidentja ka tetë ditë kohë për të vepruar.

Por, mbetet e paqartë se si do të ndikojnë ndryshimet ligjore në funksionimin e gjykatës dhe në marrëdhëniet e Kosovës me partnerët perëndimorë.

Për Pecin, rreziku kryesor nuk qëndron te deklaratat e politikanëve, por te mundësia që mosmarrëveshjet të shndërrohen në përplasje institucionale.

Dhomat e Specializuara funksionojnë brenda sistemit juridik të Kosovës, ndërsa mandati dhe pavarësia e tyre mbështeten edhe në dispozitat kushtetuese dhe në detyrimet ndërkombëtare të vendit.

Sipas Pecit, nëse institucionet e Kosovës ndërmarrin hapa për zbatimin e dispozitave që kufizojnë kompetencat e gjykatës, mosmarrëveshjet me Bashkimin Evropian mund të thellohen.

Një tjetër pikë e mundshme përplasjeje, sipas tij, është kërkesa eventuale që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara t’i vuajnë dënimet në Kosovë.

Një ditë më herët, më 14 tetor, Qeveria themeloi edhe një grup punues për hartimin dhe koordinimin e një strategjie shtetërore për procedurat e apelit në Hagë, me synim bashkërendimin e mbështetjes juridike, institucionale dhe diplomatike.

Megjithatë, krijimi i këtij grupi nuk nënkupton vetvetiu zbatimin e ndryshimeve ligjore që kundërshtohen nga BE-ja.

Qeveria nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me mosmarrëveshjet me partnerët perëndimorë.

Peci vlerëson se një moment tjetër vendimtar për zhvillimin e këtyre raporteve mund të jetë rezultati i apelit për katër ish-drejtuesit e UÇK-së.

“Nëse aktvendimi do të jetë lirues, kjo çështje mbyllet me kaq. Por, nëse nuk është lirues, atëherë do të fillojë përplasja edhe më e madhe”, thotë ai.

Serwer, në anë tjetër, thekson rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve të Kosovës me BE-në dhe NATO-n, veçanërisht për pozitën e saj ndërkombëtare dhe sigurinë.

“Kosova duhet të sigurojë që marrëdhëniet e saj me BE-në dhe NATO-n të mbeten të forta. Kjo është e vështirë kur Prishtina këmbëngul në pohimin e sovranitetit të saj, por konsultimet dhe koordinimi mund të shmangin shumë nga kurthet dhe problemet e mundshme”, thotë ai.

Për momentin, BE-ja nuk ka të paralajmëruar ndonjë masë konkrete ndaj Kosovës për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Megjithatë, kundërshtimet e saj u shoqëruan me paralajmërime për rëndësinë e respektimit të sundimit të ligjit në procesin e integrimit evropian.

“Mesazhi im është shumë i thjeshtë. Zgjerimi evropian po ecën përpara. Nëse vendet kandidate bëjnë hapa prapa, ato nuk janë në rrugën e duhur dhe nuk do të mund të bëhen anëtare të BE-së”, tha komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, më 12 tetor./REL

JU REKOMANDOJMË

Kos: Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, hap serioz prapa drejt BE

Kos: Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, hap serioz prapa drejt BE
15/10/2026 - 19:35

Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se ndryshimet e fundit në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të papranueshme dhe se, sipas saj, miratimi...

Më shumëDetails

“E arrestuan teksa kthehej në shtëpi”- E ëma kërkon të birin 16-vjeçar: Policia nuk më thotë si e kam djalin

“E arrestuan teksa kthehej në shtëpi”- E ëma kërkon të birin 16-vjeçar: Policia nuk më thotë si e kam djalin
15/10/2026 - 19:12

Protestë ka pasur edhe nëpër rrethe gjatë ditës së sotme, teksa në Durrës një nënë shprehet se ka kaluar shumë kohë për të gjetur djalin e saj 16-vjeçar,...

Më shumëDetails

Qytetari me fotografi të Kurtit në telefon i kërkon ndihmë, Time Kadriaj tregon si iu përgjigj

Kadrijaj: Kurti duhet të jap dorëheqje, po bën veprime populiste për ushqimin e egos së tij!
15/10/2026 - 19:06

Deputetja e Aleancës, Time Kadriaj, në Frontal të T7, ka rrëfyer një rast të një qytetari që i ka kërkuar ndihmë asaj për një trajtim mjekësor që një...

Më shumëDetails

“Ministër përktheje letrën”, Rama i kundërpërgjigjet Gashanit

Rama paralajmëroi rrezikun e humbjes së Lojërave Mesdhetare, Gashani e cilëson ‘‘dramacitet’’ e ‘‘alarm pa bazë’’
15/10/2026 - 18:26

Gjatë ditës së sotme kreu i Prishtinës, Përparim Rama përmes një postimi në rrjetin social në Facebook u shpreh Kosova rrezikon të humbë organizimin e Lojërave Mesdhetare. Mirëpo...

Më shumëDetails

Serwer: Kosova mund ta pranojë Asociacionin vetëm nëse eliminohet kërcënimi ndaj sovranitetit të saj

Serwer: Vuçiq ka financuar dhe orkestruar sulmin terrorist në Banjskë, s’i duhet shumë për ta destabilizuar Ballkanin
15/10/2026 - 18:14

Eksperti amerikan, Daniel Serwer, ka folur rreth çështjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, dhe mundësisë që ky proces të ecë përpara. Profesori amerikan, ka thënë se për...

Më shumëDetails

Protestat në Shqipëri, presidenti Begaj iu drejtohet shqiptarëve

Begaj uron Kosovën për zgjedhjen anëtare e asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s
15/10/2026 - 18:06

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar lidhur me protestat që po zhvillohen atje. Begaj ka thënë se ai ka ndjekur ato, kërkesat por edhe aktet e dhunës,...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Gjetje skandaloze në “Diagnostika Lab”: Shërbime laboratorike pa staf të licencuar – Inspektorati ndalon disa shërbime shëndetësore (Dokument)

    Gjetje skandaloze në “Diagnostika Lab”: Shërbime laboratorike pa staf të licencuar – Inspektorati ndalon disa shërbime shëndetësore (Dokument)

    112 Shpërndaje
    Shpërndaje 45 Tweet 28
  • Ja çka deklaroi Gani Geci në seancë gjyqësore

    156 Shpërndaje
    Shpërndaje 62 Tweet 39
  • Skandal në “Uromedica” e Tomë Komanit: Zbulohet se ofronte ESWL (thyerjen e gurëve në veshka) pa licencim – Inspektorati ia ndaloi shërbimin

    92 Shpërndaje
    Shpërndaje 37 Tweet 23
  • Reagon avokati i Mehmetajt: Kërkojmë hetim të plotë dhe mbrojtje efektive të gazetarit

    87 Shpërndaje
    Shpërndaje 35 Tweet 22
  • Qytetari me fotografi të Kurtit në telefon i kërkon ndihmë, Time Kadriaj tregon si iu përgjigj

    84 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 21

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë