Qeveria e Kosovës ka shpallur masat emergjente për furnizimin me energji elektrike, të cilat do të jenë në fuqi për 60 ditë, në përpjekje për të garantuar sigurinë e furnizimit dhe për të përballuar krizën energjetike gjatë sezonit të dimrit.
Vendimi qe ka siguruar Periskopi është marrë në mbledhjen e Qeverisë të 16 nëntorit 2026, ndërsa parasheh që ndërmarrja hidroekonomike “Ibër-Lepenci” të detyrohet të prodhojë energji elektrike nga Hidrocentrali i Ujmanit, për furnizimin e konsumatorëve që përfitojnë nga shërbimi universal.
Sipas vendimit, prodhimi i energjisë nga Ujmani do të bëhet në bazë të udhëzimeve të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT). Ky i fundit obligohet që të udhëzojë Ibër-Lepencin të prodhojë energji sa herë që është teknikisht e mundur gjatë orëve të pikut, apo në periudhat kur prodhimi mund të ndikojë më së shumti në uljen e kostove të sistemit dhe sigurinë e furnizimit.
Furnizuesi për Shërbim Universal do të jetë përgjegjës për kompensimin e Ibër-Lepencit për energjinë e prodhuar, në përputhje me çmimin referent të përcaktuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji.
Qeveria ka vendosur gjithashtu themelimin e një Komiteti Teknik Emergjent, i cili do të udhëhiqet nga Ministria e Ekonomisë dhe do të përbëhet nga përfaqësues të institucioneve dhe ndërmarrjeve relevante.
Ky komitet do të ketë për detyrë të monitorojë gjendjen e furnizimit me energji elektrike dhe të raportojë çdo dy javë në Ministrinë e Ekonomisë. Po ashtu, do të mund të rekomandojë masa shtesë, përfshirë edhe kushte të veçanta komerciale, për menaxhimin e situatës emergjente.
Një tjetër pikë e vendimit obligon të gjitha institucionet publike që të ndërmarrin masa për kursimin e energjisë elektrike. Ndërkohë, Qeveria ka lënë të hapur mundësinë e ndërmarrjes së masave të tjera, varësisht nga zhvillimet dhe nevojat që mund të paraqiten.
Pse u shpallën masat emergjente?
Në arsyetimin e vendimit, Qeveria ka renditur disa faktorë që, sipas saj, kanë vështirësuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike në Kosovë.
Njëri prej tyre është rritja e çmimeve të importit të energjisë elektrike, që në vendim ndërlidhet me paqëndrueshmërinë e tregjeve ndërkombëtare pas konfliktit në Iran dhe ndërprerjeve të qarkullimit përmes Ngushticës së Hormuzit.
Një tjetër problem i evidentuar është mosoperimi i njësisë B1 të Termocentralit “Kosova B”, për shkak të punimeve për instalimin e elektrofiltrave të rinj dhe sistemit për reduktimin e oksideve të azotit (NOx).
Sipas dokumentit, rikthimi i kësaj njësie në operim ishte planifikuar për 25 nëntor 2026, por vonesat në realizimin e projektit dhe paqartësia për afatin e përfundimit të punimeve kanë shtuar rrezikun për furnizimin me energji gjatë sezonit dimëror.
Në arsyetimin e Qeverisë përmendet edhe Serbia, e cila, ka vazhduar të bllokojë funksionalizimin komercial të kapaciteteve ndërkufitare të transmisionit, duke kufizuar mundësitë e Kosovës për import të energjisë dhe duke ndikuar në rritjen e kostove.
Vendimi i Qeverisë hyn në fuqi dhe fillon të zbatohet menjëherë, ndërsa parashihet që t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për miratim brenda tri ditësh.
Masat emergjente do të vlejnë për 60 ditë nga hyrja e vendimit në fuqi.













