Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se do të takohet të martën me krerët e ushtrisë amerikane dhe se ai do të shkarkojë cilindo prej tyre menjëherë, nëse nuk i pëlqejnë.
“Unë do të takohem me gjeneralë e me admiralë e me liderë, dhe nëse nuk më pëlqen dikush, do t’i shkarkoj në vend” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ai pritet që të flasë në një mbledhje të pashembullt të krerëve ushtarakë afër Uashingtonit më vonë të premten.
Qindra udhëheqës ushtarakë, përfshirë gjeneralë e admiralë të stacionuar në pjesë të ndryshme të botës, pritet të marrin pjesë në takimin me Trumpin dhe me sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Nuk u ofrua publikisht asnjë arsye zyrtare, kur krerët ushtarakë u thirrën në takim me paralajmërim të shkurtër javën e kaluar, duke nxitur shumë spekulime. Nënpresidenti amerikan, JD Vance, është përpjekur që ta minimizojë peshën e këtij takimi.
Masat e sigurisë janë shumë të rrepta për takimin që do të mbahet në bazën “Quantico” në Virgjinia.












