Qumështorja Vita ka kërkuar hetim të plotë dhe transparent nga Prokuroria pas kontrolleve dhe dyshimeve të lidhura me cilësinë e produkteve të saj duke shprehur shqetësim të thellë për situatën kohët e fundit, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Në një reagim publik, kjo kompani ka njoftuar se që nga 2 korriku, mbi 650 mostra, mbi 30 inspektime dhe asnjë rezultat i dorëzuar.
“Fillimisht u ngritën dyshime për vaj palme, por ato nuk u vërtetuan! Pastaj për qumësht pluhur, por as këto dyshime nuk u vërtetuan! Më pas për ujë pusi, por as këto dyshime nuk u vërtetuan! Tani, pas gjithë këtyre kontrolleve, paraqitet një mostër prej vetëm një litri qumësht, me pretendimin se një lot i prodhimit ka tejkaluar kufirin e lejuar të aflatoksinës M1.”, thuhet në reagimin e VITA-s.
Kjo kompani ka thënë se për njëçerek shekulli veprimtari asnjëherë nuk është përballur me ndonjë rast të dëmtimit të shëndetit të konsumatorëve.
Kompania ka bërë thirrje që Prokuroria të hetojë të gjitha procedurat, nga marrja e mostrave deri te rezultatet laboratorike dhe veprimet e institucioneve përgjegjëse.
“Konsumatorëve tanë u themi qartë: VITA qëndron pas cilësisë PREMIUM të produkteve të saj, të prodhuara me 100% qumësht nga fermerët e Kosovës. Siguria ushqimore dhe shëndeti i konsumatorëve kanë qenë dhe mbeten prioriteti ynë absolut. Ne nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë drejtësi, trajtim të barabartë dhe që e vërteta të dalë në dritë. VITA – 100% qumësht vendor. Cilësi PREMIUM. Besim i palëkundur.”, thuhet në reagimin e VITA-s.














