Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba ka kërkuar veprimin e Prokurorisë pas një deklarate të mbrëmshme nga Daut Haradinaj nga Aleanca, i cili tha se do të kishte gjakderdhje sikur të mos miratoheshin ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale mbrëmjen e 6 tetorit.
Zyba pyet nëse ky rrëfim ishte plan i Haradinajt.
Ai ftoi Prokurorinë që të autorizojë Policinë për grumbullim të informatave lidhur me deklaratën e Haradinajt.
“Dauti paska folë kogja qartë, tash është koha e Prokurorisë të gjitha këto informacione që ky i paska pasur dhe ditur t’i trajtojë. Dhe rrëfimi kaq i detajizuar a del të jetë plan i tij apo si?”, shkroi deputeti në një postim në Facebook.
Haradinaj tha të mërkurën në emisionin Rubikon në Klan Kosova se Kurti i udhëzoi deputetët e tij që të votojnë Ligjin për Specialen nga “frika”.
“Votimi atë natë, zotëri Kurti e ka votuar nga frika, sepse është frikacak. Nuk ka pas asnjë shans një deputet me dalë prej Parlamentit atë natë pa e kry atë punë. Nuk ish dalë asnjë hiç. Pa gjakderdhje askush s’ish dalë. Dhe këtë po e them me përgjegjësi të madhe. Nuk kemi qenë duke bërë hajgare. E kanë ditë me detaje. Të gjithë. Deputetët, kryeministri, ministrat…”, tha Haradinaj.














