Nga Blerim Shala
Në një bastore imagjinare politike, e cila do të bazohej fund e krye në përvojën e deritashme të rrjedhave politike në vend që nga dimri i vitit të kaluar, jemi të sigurt që sekush prej nesh, do të investonte para në mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare, e jo në mundësinë e zgjedhjes së Presidentit të ri të Kosovës.
Kjo mundësia e dytë tashmë banon, nëse mund të thuhet kështu, në sferën e një imagjinate të denjë për fantastikë shkencore, e cila edhe si e tillë do të merr fund të martën e ardhshme, me 28 prill.
Natyrisht, ia vlen të besohet në mrekulli, por ato nuk na kanë vizituar qëmoti, apo, ato mendojnë që e kanë kryer punën me ne në dy raste: Në atë të vitit 1999 (çlirimi), dhe në tjetrën në vitin 2008 (pavarësimi).
Por ja që një tjetër bast që mund të bëhet, duke na sprovuar neve të gjithëve në mundësinë e zgjidhjes së problemeve të vazhdueshme politike me ditën e votimit të ri (me gjasë, në fillim të muajit qershor), do të shquanin sigurinë e shumëkujt këtupari që është thuaja e pamundur që të arrihet një rezultat zgjedhor i cili do të mundësonte lënien prapa të gjitha pengesave në ndërmarrjen politike të krijimit të pushtetit qendror.
Çfarë do të merret vesh sërish në këtë politikën kosovare, është që vetëm me bisedime dhe marrëveshje politike, mund të shmanget një tjetër krizë parlamentare. Në të kundërtën, dhe këtu do të mund të shfaqej një tjetër bast, do të duhej sërish të shkohej në zgjedhje të reja, të cilat sërish, nuk do të mund të ofronin kurrfarë sigurie dhe asnjë garanci që do të arrihet një situatë krejtësisht tjetër.
Pra, po del, që tek ne është fare lehtë ta provosh fatin në një bastore imagjinare politike.
Në të vërtetë, po kuptohet që nuk qenka fare kjo punë bastoreje por rezultat i një analize të esullt politike, e cila na bën neve të jemi gjithherë të këndellur dhe përherë e më pesimist, si qytetarë të këtij vendi.
Zgjedhjet mund sërish të na i dëftojnë numrat dhe përqindjet, përmes të cilave matet fuqia politike e secilit subjekt politik që merr pjesë në to.
Nuk është pak pra. Këtu buron legjitimiteti në demokraci.
Por këto rezultatet e votimeve, përkthehen pastaj në një pushtet i cili pos legjitimitetit të votës, njeh edhe legalitetin e kushtetues dhe të ligjeve.
Këto janë dy anë të pandashme të një demokracie parlamentare.
Kjo ende nuk është kuptuar ndër ne. Apo, kështu është në këto dy vitet e fundit.
Pra, zgjedhjet nuk prodhojnë me automatizëm pushtetin.
Teksa sa më shpesh që ato mbahen, shfaqin pafuqinë reale politike në një vend për të gjetur shtegdaljen nga situata kur skena politike bëhet burim i problemeve kryesore në vend, e jo mjet për zgjidhjen e tyre, siç do të duhej të ishte në një demokraci.
Ne dimë të mbajmë zgjedhje të lira dhe demokratike. Këtë e kemi dëshmuar pa kurrfarë dyshimi për shumë vite me radhë.
Për më shumë, ne dimë edhe t’i pranojmë rezultatet e këtyre zgjedhjeve, pa kurrfarë hidhërimi apo mbetje të hatrit.
Shumë mirë.
Por, siç po e shohim që nga zgjedhjet e parakaluara, të muajit shkurt të vitit 2025, ne nuk po arrijmë dot që këto dy tipare shumë të mira, t’i përmbyllim me krijimin e pushtetit qendror, në tërësinë e tij, sepse po na mungon vullneti i sinqertë politik për ta njohur realitetin kushtetues dhe ligjor (dhe jo vetëm rezultatet e zgjedhjeve), që imponon marrëveshjen politike.
Arti i marrëveshjes politike nuk mësohet dot në qendrat e votimit.
Ai është palca kurrizore (nëse mund të thuhet kështu), e një demokracie parlamentare.
Për më shumë, ky mësim nuk mund të zhbëhet dot pa marrë parasysh sa shpesh do të mbajmë ne zgjedhje parlamentare tash e tutje.
Ato nuk do të na bëjnë më të mençur, më të ditur, më të matur, më të kujdesshëm.
E neve më shumë se kurrë na duhet mençuria, dija, maturia dhe kujdesi. Para se të bëhet shumë vonë. Se ne vonë jemi gjithsesi.












