Në pranverën e vitit të kaluar kishte shpërthyer një skandal i importuesve të kafshëve të gjalla për therje, ku 28 operatorë ekonomik u ishin pezulluar lejet e importit për shkak të dallavereve që kishin bërë, dëmi ekonomik i të cilës natyrë të shkeljeve vlerësohej miliona euro të shkaktuara ndër vite.
Mirëpo, vetëm disa ditë pas pezullimit të lejeve të importit, të cilin ish-ministri Faton Peci e kishte prezantuar si sukses, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kishte nisur shfuqizimin e këtyre vendimeve për pezullim të lejeve.
Në një përgjigje për Veriu.info në fund të muajit prill 2025, AUV kishte thënë se shfuqizimi është bërë pas lutjeve të këtyre operatorëve ekonomik për një mundësi shtesë dhe dhënies së deklaratave të tyre nën betim për përmbushje të kritereve ligjore.
Kur jemi saktësisht një vit pas kësaj situate, disa prej operatorëve ekonomik që vitin e kaluar ishin zbuluar duke bërë dallavere dhe iu kishin rikthyer lejet nën zotimin se nuk do t’i përsërisin shkeljet, ato janë zbuluar duke bërë të njëjtat shkelje të cilat paraqesin rrezik për sigurinë ushqimore dhe shkaktojnë evazion fiskal.
Përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, AUV i ka ofruar gazetës Veriu.info listën e kompanive që janë proceduar për kundërvajtje në gjykatë, pasi që, sikurse vitin e kaluar, edhe këtë vit janë kapur duke zhdukur nga sistemi kashët e gjalla të importuara për therje.
Këto janë kompanitë që janë dërguar në gjykatë për kundërvajtje:
AHQ FARM Sh.P.K. me pronar Arian Qerimi – Graçanicë
Krryli L.L.C. me pronar Besnik Kunushevci – Podujevë
Luka Farm Sh.P.K. me pronar Blerim Spahiu – Podujevë
Melii Farm Sh.P.K. me pronar, sipas AUV: Mensur Bunjaku – Sipas ARBK: Ilmi Cakiqi – Podujevë
Meli Sh.P.K. me pronar, sipas AUV: Mensur Bunjaku – Sipas ARBK: Meli Holding (Ramadan Bunjaku 50% dhe Besim Bunjaku 50%) – Prishtinë
Nreca L.L.C. me pronar Behar Syla – Obiliq
Reisa 2022 Sh.P.K. me pronar Sheqir Humolli – Prishtinë
Xhema Bulls L.L.C. me pronar Xhemajl Rrahmani – Prishtinë
AHQ FARM Sh.P.K.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë më datë 27 janar 2026 ka dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Dega për Kundërvajtje në Graçanicë kërkesën për fillimin e procedurës kundërvajtëse ndaj subjektit AHQ FARM Sh.P.K. me pronar Arian Qerimi, për shkak se është konstatuar që nuk ka zbatuar vendimet e lëshuara të inspektorëve veterinar në pikat kufitare për importin e kafshëve të gjalla.
“Në bazë të vendimeve është konstatuar se gjatë muajit dhjetor 2025 nga ana e subjektit të lartëcekur janë importuar 616 gedhe për therje, ku prej tyre 183 krerë gedhe për therje nuk kanë përfunduar në thertore dhe dyshohet se këto kafshë janë therrur pa kontroll të Inspektoratit Veterinar”, thuhet në dokumentin e AUV të siguruar nga Veriu.info.
Dyshohet se mishi i këtyre kafshëve ka dalë në treg për konsum, duke paraqitur rrezik të lartë për shëndetin publik.


Krryli L.L.C.
Ndaj kësaj kompanie me pronar Besnik Kunushevci, AUV ka nis procedurën kundërvajtëse më 19.02.2026, pasi që është konstatuar se 166 krerë gedhe të vendosura në kushte të karantinës janë shitur te personat fizik.
Edhe pse Besnik Kunushevci ishte zotuar para inspektorëve të AUV se do t’i sjellë faturat e shitjes së kafshëve, ai të njëjtat nuk i kishte dorëzuar.
AUV më 12 shkurt 2026 kishte nxjerrë vendim për pezullimin e përkohshëm të Krryli L.L.C. nga sistemi FCMS i importit të kafshëve të gjalla.
Kronologjia e veprimeve ndaj Krryli L.L.C. nuk është e plotë, pasi që në dokumentet e dërguara nga AUV, mungon të paktën një faqe e tyre.



Luka Farm Sh.P.K.
Në janar 2026 AUV ka nis procedurën kundërvajtëse në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Divizioni për Kundërvajtje në Podujevë ndaj kompanisë së Blerim Spahiut, për arsye se nuk ka zbatuar vendimet e inspektorëve veterinar me rastin e importit të kafshëve të gjalla.
“Në bazë të vendimeve të lëshuara është konstatuar se gjatë muajve Tetor-Dhjetor 2025 nga ana e subjektit të lartëcekur janë importuar 455 gedhe për therje, ku prej tyre 163 krerë gedhe për therje nuk kanë përfunduar në thertore dhe dyshohet se këto kafshë janë therur pa kontroll të Inspektoratit Veterinar në mënyrë ilegale dhe si mish ka dalur në treg për konsum, ku ky rast paraqet rrezik të lartë të shëndetit publik, shkelje të drejtave të konsumatorit, si dhe shkelje të dispozitave të sigurisë ushqimore”, thuhet në dokumentet e siguruara nga Veriu.info për rastin e Luka Farm Sh.P.K..


Melii Farm Sh.P.K.
AUV në janar ka nisur procedurën kundërvajtëse për gjykatë ndaj kompanisë së Mensur Bunjakut, pasi që është konstatuar se në muajin dhjetor ka importuar 289 krerë gedhe për therje, ku prej tyre 114 nuk kanë përfunduar në thertore.
Sipas dokumentit të AUV që ka siguruar Veriu.info, dyshohet se këto kafshë janë therur pa kontroll të inspektorëve veterinar në mënyrë ilegale dhe si mish ka dalur në treg për konsum, duke paraqitur rrezik të lartë për shëndetin publik, shkelje të drejtave të konsumatorëve dhe shkelje të dispozitave të sigurisë ushqimore.
Në kërkesën e AUV drejtuar gjykatës thuhet se Melii Farm Sh.P.K. është recidivist, pasi që është dënuar për të njëjtat shkelje të kryera edhe më parë, me ç’rast AUV ka bashkëngjitur edhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të datës 26.12.2025, e cila kishte vërtetuar dënimin prej 10 mijë euro të Gjykatës Themelore në Prishtinë.





Meli Sh.P.K.
Edhe ndaj kompanisë tjetër me drejtor Besim Bunjaku dhe përfaqësues të autorizuar Mensur Bunjaku, AUV ka nisur procedurë kundërvajtëse, pasi që është konstatuar se subjekti Meli Sh.P.K. nuk ka zbatuar vendimet e inspektorëve veterinar lidhur me importin e kafshëve të gjalla për therje.
“Në bazë të vendimeve të lëshuara është konstatuar se gjatë muajit nëntor 2025 nga ana e subjektit të lartëcekur janë importuar 910 gedhe për therje, ku prej tyre 81 gedhe nuk janë përfunduar në thertore dhe dyshohet se këto kafshë janë therur pa kontroll në mënyrë ilegal”, thuhet në dokumentin e AUV për Meli Sh.P.K.
Në kërkesën e AUV drejtuar gjykatës thuhet se Meli Sh.P.K. është recidivist, sepse është dënuar për të njëjat shkelje të kryera. Për t’i dëshmuar shkeljet e kaluara nga Meli Sh.P.K., AUV ka bashkëngjitur edhe dy aktgjykime, njëri i Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe tjetri i Gjykatës së Apelit.
Në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të datës 19.12.2025, thuhet se refuzohet ankesa e Meli Sh.P.K. dhe vërtetohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilin edhe kjo kompani ishte gjobitur me 10 mijë euro.
Për këtë kompani është nisur edhe një kërkesë tjetër për kundërvajtje nga AUV, pasi që është konstatuar se Meli Sh.P.K. në dhjetor 2025 ka importuar 1106 kafshë për therje, prej të cilave 221 gedhe nuk kanë përfunduar në thertore.
Edhe përmes kësaj kërkese, AUV i ka bërë të ditur gjykatës së kjo kompani është recidiviste në shkelje të mëparshme.






Nreca L.L.C.
Më 29 janar 2026 AUV ka nis procedurë kundërvajtëse ndaj kompanisë Nreca L.L.C. me pronar Behar Syla, pasi që është konstatuar se gjatë muajve tetor-dhjetor 2025 ka importuar 405 kafshë për therje, prej të cilave 13 nuk kanë përfunduar në thertore.
Në këtë dokument të siguruar nga Veriu.info, bëhet e ditur se Nreca nuk ka zbatuar katër vendimet të lëshuara nga inspektorët veterinar kufitar.


Reisa 2022 Sh.P.K.
As kompania e Sheqir Humollit nuk bën përjashtim nga dallaveret me import të kafshëve të gjalla për therje, si pasojë e veprimeve të së cilës AUV më 22 janar 2026 ka nisur procedurë kundërvajtëse.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Veriu.info, Reisa 2022 në nëntor 2025 ka importuar 387 gedhe për therje, prej të cilave 210 nuk kanë përfunduar në thertore.
Në këtë njëjtën datë, pra më 22 janar, AUV ka nisur edhe një kërkesë për procedurë kundërvajtëse ndaj kompanisë së Sheqir Humollit, pasi që edhe në muajin dhjetor i kishte bërë të njëjtat dallavere.
“Në bazë të vendimeve të lëshuara është konstatuar se gjatë muajit dhjetor 2025 nga ana e subjektit të lartëcekur janë importuar 228 gedhe për therje, ku prej tyre 89 krerë gedhe për therje nuk kanë përfunduar në thertore”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e kërkesës së AUV drejtuar gjykatës.
Përmes këtyre kërkesave, AUV i bën të ditur gjykatës se kompania e Sheqir Humollit është recidiviste, pasi që e njëjta është dënuar për shkelje të kryera. Mirëpo, AUV nuk i ka dhënë qasje Veriu.info në aktgjykimet e gjykatës ndaj Reisa 2022 Sh.P.K.




Xhema Bulls L.L.C.
E fundit për nga renditja alfabetike, por jo edhe nga rëndësia, është kompania Xhema Bulls me pronar Xhemajl Rrahmani, ndaj të cilës AUV ka nisur procedurë kundërvajtëse për dallavere me import të kafshëve të gjalla për therje.
Në arsyetimin e kërkesës së AUV drejtuar gjykatës thuhet se është konstatuar që gjatë muajit dhjetor 2025 Xhema Bulls kishte importuar 147 gedhe për therje, prej të cilave 71 sosh nuk kishin përfunduar në thertore.
AUV në kërkesë bën të ditur se kjo kompani nuk ka zbatuar tri vendime të inspektorëve veterinar kufitar.



Esenca e therjes në thertore të kafshëve
Me rastin e secilës ngarkesë me kafshë për therje që hyn nga jashtë në territorin e Kosovës, inspektorët veterinar kufitar i lëshojnë vendim të posaçëm kompanisë importuese.
Në secilin prej këtyre vendimeve për lejim të importit, urdhërohet subjekti importues që brenda 72 orëve nga momenti i hyrjes në Kosovë, të bëjë therjen e kafshëve të importuara.
Kompanitë e lartcekura le që nuk i kanë zbatuar këto vendime të inspektorëve për therje të kafshëve brenda 72 orëve, por të njëjtat kafshë as nuk janë therur më vonë nën mbikëqyrjen e inspektorëve.

Burime të Veriu.info nga AUV bëjnë të ditur se dyshohet që një pjesë e këtyre kafshëve janë kontrabanduar në shtetet fqinje. Kjo pasi që kur të njëjtat hyjnë në territorin e Kosovës me destinim për therje, ato kanë lehtësira tatimore dhe importuesit e kafshëve i përdorin të njëjtat në raste të caktuara për t’i shitur përmes kontrabandimit në shtetet fqinje.
Veriu.info ka kërkuar përgjigje nga Drejtori Ekzekutiv i AUV, Bekim Hoxha, se a është bërë pezullimi i importit të kafshëve të gjalla për therje për këto kompani nga sistemi FCMS, sikurse që ishte vepruar vitin e kaluar, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk kemi marrë përgjigje. Lejimi i importit për të njëjtat kompani edhe pas shkeljeve të bëra, sidomos të disave që janë recidiviste, është mundësi e re që të vazhdojnë avazin e vjetër!














