Kompania “Euro Miti” Sh.P.K. me pronar biznesmenin Sait Grainca është përfshirë në skandalin e dallavereve me çmimet e naftës, duke shitur derivate të naftës me çmime më të larta se sa që kishte vendosur shteti për shkak të krizës globale.
Veriu.info ka siguruar dokumente të Inspektoratit të Tregut të Ministrisë së Tregtisë, të cilët në bashkëpunim me inspektorët e ATK-së, kishin inspektuar këtë kompani më 24 mars 2026.
Pas këtij inspektimi, ishte konstatuar se “Euro Miti” Sh.P.K. me pronar Sait Grainca kishte shkelur Ligjin për Tregtinë me Produkte të Naftës, duke shitur derivate të naftës me çmime më të larta se sa kishte vendosur shteti përmes Ministrisë së Tregtisë.
Për shkak të këtij abuzimi me çmime dhe faktikisht dëmtimit financiar të qytetarëve, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut i Ministrisë së Tregtisë, më 20 prill 2026 ka filluar procedurën kundërvajtëse ndaj “Euro Miti” Sh.P.K. në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Divizioni për Kundërvajtje në Lipjan.
“Bazuar në raportin e Inspektorëve të ATK-së të datës 11.07.2026, me ç’rast është konstatuar që Operatori Ekonomik “Euro Miti” Sh.P.K. me drejtor Sait Grainca, lidhur me verifikimin e çmimeve, e ka tejkaluar çmimin maksimal të lejuar për shitje me pakicë të produkteve të naftës. Veprim ky në kundërshtim me nenin 15 të Ligjit nr. 08/L-018 Për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme, i sanksionuar me nenin 19 paragrafi 13 të po të njëjtit ligj dhe në nenin 26 të Ligjit nr. 06/L-034 Për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe ndëshkohet me nenin 137 të po të njëjtit ligj”, thuhet në arsyetimin e kërkesës së IQMT-së për fillimin e procedurës kundërvajtëse të siguruar nga Veriu.info.



Sanksionet e nenit 19, paragrafi 13
Për shkelje të vendimit për marzhën e fitimit maksimal, në kërkesë thuhet se sanksioni është paraparë me nenin 19, paragrafi 13 i Ligjit nr.08/L-018 për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme.
Sipas paragrafit 13, dënimi maksimal për persona juridikë është i paraparë në shumën prej 6 mijë euro.
“Kushdo që, në kundërshtim me nenin 15 të këtij ligji, nuk respekton kufizimin e çmimit të produktit të naftës ose karburantit të ripërtëritshëm dënohet me gjobë prej dy mijë (2.000) deri në gjashtë mijë (6.000) euro, si person juridik”, thuhet në paragrafit 13 të nenit 19 të Ligjit nr.08/L-018.

Pse një kompani me dhjetëra njësi nëpër gjithë Kosovën të mos e shkelë këtë ligj, kur gjoba maksimale është paraparë 6 mijë? Përgjigje këtu mund të japin vetëm ligjvënësit dhe inspektorët e IQMT-së!?
Kush është “Euro Miti” Sh.P.K.?
“Euro Miti” Sh.P.K. është kompani e themeluar në vitin 2004 në Ferizaj nga Xhejlane Grainca, ndërsa tash 100% të aksioneve të kompanisë i zotëron Sait Grainca.
Si aktivitet primar në ARBK, kjo kompani ka të lajmëruar tregtinë me pakicë e karburantit për automjete në dyqane të specializuar.
“Euro Miti” Sh.P.K. në ARBK ka të lajmëruar 11 njësi biznesore, kryesisht në Ferizaj, Gjilan e Prishtinë.
Në vitin 2022 në media ishte raportuar për operimi të dyshimtë të biznesmenit Grainca me naftë në Gjilan, rast i cili asokohe ishte hetuar nga Policia e Kosovës. (https://insajderi.org/hulumtim-operimi-i-dyshimte-i-biznesmenit-grainca-ma-nafte-ne-gjilan-nen-hetime-te-policise/)



LEXONI EDHE:













