Ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti replikoi me deputeten e Aleancës, Time Kadrijaj, e cila e pyeti nëse mund të sillet më herët për miratim në Kuvend një ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare.
Kadrijaj tha se”duke marrë parasysh rëndësinë e këtij ligji, është mjaft e paarsyeshme shtyerja deri në atë kohë”. Sipas agjendës legjislative, ai ligj është caktuar të sillet në Kuvend në verën e vitit të ardhshëm.
“Pyetja ime është. A do ta sillni më herëtkëtë ligj në Kuvendin e Kosovës apo do e zvarrisni”, tha ajo.
Hoti i replikoi, duke thënë se Kadrijaj po e kthente këtë çështje në “sulm politik”.
“Kanë kaluar më shumë se 27 vjet e 5 muaj që nga përfundimi i luftës çlirimtare në Kosovë. Më shumë se 27 vjet dhe ne ende nuk kemi një ligj të tillë. Dhe ju sot po kërkoni llogari prej meje pse e kam qitë në program legjislativ në një afat prej 10 muajsh”, tha ai.
“Mos e ktheni në sulm politik një proces që më në fund e kemi shumë seriozisht”, tha ministri.
Hoti tha se e çmon kontributin e deputetes në luftës, por aludoi se ai kontribut nuk është vazhduar pas luftës.
“Por unë besoj që kontributi i dhënë në luftë për ju dhe të gjithë të tjerët që kanë dhënë kontribut, është dashur të ruhet edhe pas luftës përmes ligjeve dhe institucioneve tona”, tha ai.
Hoti tha se afati për ligjin është vera e vitit të ardhshëm sepse duan “një ligj të qëndrueshëm”, që tha se do të hartohet me përfshirjen e të gjitha kategorive të dala nga lufta.
Në replikë, deputetja Kadrijaj tha se nuk po bënte politikë.
“Andin Ukshin Hoti, faleminderit shumë për ligjëratën. Nuk bëra politikë aspak. Asnjë term i asaj që e thashë nuk pati politikë. Përndryshe ti bëre politikë”, tha ajo.
Kadrijaj tha se ai ligj do të duhej të sillej më herët në Kuvend.
“I bëni nder edhe vetes edhe të gjithëve”.













