Një veturë është përfshirë nga zjarri mëngjesin e së mërkurës në kampusin e Universitetit të Prishtinës, në afërsi të Bibliotekës Kombëtare. Policia ka bërë të ditur se informatën për rastin e ka pranuar rreth orës 05:00, ndërsa sipas të dhënave fillestare, nuk raportohet për persona të lënduar.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka konfirmuar incidentin, por nuk ka dhënë detaje lidhur me shkaqet e zjarrit apo pronarin e veturës. Ndërkohë, sipas raportimit të Indeksonline, vetura e djegur i përket profesoreshës universitare, Njomza Llullaku, e cila raportohet se aktualisht ndodhet jashtë Kosovës.
Sipas të njëjtit medium, Llullaku e kishte parkuar veturën në oborrin e Bibliotekës Kombëtare më 17 nëntor, para se të nisej në një udhëtim zyrtar jashtë vendit. Ndërkohë, Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të zjarrit.













