Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur trajtimin e rastit të Atifete Berishës, e dyshuar për mashtrim me rreth 48 mijë franga zvicerane të mbledhura përmes platformës GoFundMe për shërimin e pesëvjeçares Ajra Fekaj.
Prokuroria ka konfirmuar për Insajderin se Prokurori i Shtetit është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë çështje.
Fushata e mbledhjes së parave ishte organizuar për trajtimin mjekësor të vogëlushes, e cila vuante nga epilepsia dhe kishte nevojë për ndërhyrje jashtë vendit. Sipas nënës së saj, Aida Krasniqi Fekaj, ndonëse përmes donacioneve ishin mbledhur rreth 48 mijë franga, paratë nuk i ishin transferuar asnjëherë familjes. Ajo pretendon se për më shumë se një muaj kishte kërkuar dorëzimin e tyre, por kishte marrë vetëm premtime dhe arsyetime.
Në mbështetje të pretendimeve të saj, nëna e Ajrës ka dorëzuar në Insajderi edhe një audioincizim, në të cilin pretendon se dëgjohet Berisha duke pranuar se e kishte gënjyer dhe se paratë i kishte marrë për vete. Ndërkohë, familja kishte planifikuar edhe një takim në Turqi për dorëzimin e mjeteve, por sipas saj, Berisha nuk ishte paraqitur.
Pretendime për mashtrim ndaj Berishës kanë ngritur edhe dy avokatë, Asdren Bytyqi dhe Liridon Jetishi. Ndërsa Bytyqi, i cili përfaqëson familjen e Ajrës, ka deklaruar se ndaj saj kanë nisur hetimet për dyshimet për mashtrim dhe keqpërdorim të besimit, Jetishi ka thënë se edhe ai është ndjerë i mashtruar gjatë bashkëpunimit profesional me të.
Ndërkohë, Spitali Memorial në Turqi ka konfirmuar se operacioni i pesëvjeçares është kryer në këtë institucion, por ka bërë të ditur se ka mbetur një borxh prej 28 mijë eurosh për trajtimin. Insajderi ka tentuar të marrë edhe versionin e Atifete Berishës, por deri në publikimin e lajmit ajo nuk kishte ofruar dëshmi se paratë e mbledhura ishin transferuar te familja e Ajrës.














